Fjalë Kyçe

Kosova nuk i arriti rezultatet e pritura në basketboll gjatë 2019

Kosova nuk i arriti rezultatet e pritura në basketboll gjatë 2019

Viti 2019 ishte i ngjeshur me aktivitete të shumta për Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe u zhvilluan shumë ngjarje të rëndësishme.

Një nga ngjarjet kryesore ishte zhvillimi i Kampionatit Evropian, Divizioni B për femra U20 në Prishtinë.

Organizimi ishte në nivel të jashtëzakonshëm dhe për këtë FBK-ja u përgëzua nga FIBA, derisa shtëpia e basketbollit botëror i besoi edhe organizimin e Kampionatit Evropian, Divizioni C për meshkuj U16, që do të mbahet gjatë vitit të ardhshëm në Prishtinë.

Po ashtu një ngjarje e rëndësishme ishte vizita e presidentit të FIBA Evropës, Turgay Demirel në muajin gusht, që ishte vizita e tij e parë si president i kësaj organizate në Kosovë.

Ai përgëzoi drejtuesit e FBK-së për punën që kanë bërë, sidomos me gjeneratat e reja, derisa ofroi ndihmën e tij për basketbollin e Kosovës.

Gjatë verës, gjashtë përfaqësueset e reja të Kosovës, U20, U18 dhe U16 në të dyja konkurrencat u paraqitën në kampionate evropiane, Divizioni B. Po ashtu, për herë të parë u formua Liga U14 te femrat me përkrahjen nga FIBA.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu deklaroi se viti 2019, mund të cilësohet si pozitiv për federatën, por jo edhe me rezultatet e arritura.

Sa i përket basketbollit vendor, Fetahu pohon se pjesa e dytë e vitit ka qenë me plot risi, ku edhe vetë rikthimi i Pejës e ka ngjallur interesimin e tifozëve për të parë nga afër ndeshjet e Superligës.

I pari i FBK-së gjithashtu bëri të ditur se vitin e ardhshëm kjo federatë do të mbajë zgjedhjet e reja dhe se ai pritet të kandidojë sërish për postin e kryetarit.

Ndërsa sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku e cilësoi këtë vit shumë të rëndësishëm, duke marrë parasysh aktivitetet e shumta që federata ka organizuar gjatë vitit 2019.

Edhe Dushku vitin 2019 e cilësoi jo të mirë, në performancën e përfaqësueseve të Kosovës, duke pohuar se nuk janë arritur pritjet të cilat bordi i kësaj federate i kishte caktuar në fillim të 2019-së.

Kujtojmë që gjatë këtij viti klubi i basketbollit Prishtina në konkurrencën e femrave, u bë skuadra e parë kosovare që merr pjesë në garat ndërkombëtare, por pa mund të arrijë ndonjë rezultat të madh.

Vashat e Prishtinës u eliminuan në fazën e grupeve, duke mos arritur të shijojnë asnjë fitore gjatë kësaj aventure në Evropë.

Ndër në vitin 2020, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të luajë ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror, ndërsa ngjarje tjetër e rëndësishme pritet të jetë edhe organizimi i evropianit Divizioni C për Meshkuj U16 në Prishtinë.

Kjo është hera e tretë radhazi që FIBA Evropa i beson Federatës së Basketbollit të Kosovës organizimin e një kampionati evropian.