Fjalë Kyçe

Festë më ndryshe në Shtëpinë për Persona të Moshuar

Festë më ndryshe në Shtëpinë për Persona të Moshuar

Jetë të re kanë krijuar të moshuarit në institucionin, të cilin ata e konsiderojnë shtëpi, e pjesëtarët e saj anëtarë të familjes.

Nga pothuajse të gjitha komunat e Kosovës, kujdesin e kanë gjetur në këtë institucion.

Kohën në Shtëpinë për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare ata e kalojnë në mënyra të ndryshme, dikush duke luajtur domino e dikush me punë dore, raporton KTV.

Pjesë e kësaj shtëpie, që nga ’89-ta, është Ismet Osmani nga Prishtina.

Jeta për të nuk ka qenë e lehtë, andaj edhe thotë se vlerëson çdo kujdes që i ofrohet.

E, qe 12 vjet, në këtë shtëpi jeton edhe Alije Ashiku, kurse rreth 5 muaj më parë, asaj i është bashkuar edhe Suzana Gergolli.

Më shumë respekt e dashuri për të moshuarit, kërkon 83-vjeçari nga Ferizaj, Smajl Ibishi.

Ndonëse në moshë të shtyrë, punimet e dorës i kanë shumë në qejf.

Përkundër punimeve të veshjeve të ndryshme, atyre u pëlqen shumë edhe vizatimi.

Me këto punime, thonë se heqin mërzinë e bëjnë që koha të kalojë më shpejt.

Derisa thur xhemperë, 77-vjeçarja Shenaze Salihu, nuk heziton të shpalosë copëza historie nga fëmijëria e saj.

Megjithatë, jo të gjithëve u pëlqejnë punimet e dorës.

Ndonëse 78-vjeçare, Hata Uka, ka zgjedhur që kohën e lirë ta kalojë duke mësuar diçka të re.

Në anën tjetër, drejtoresha e shtëpisë për persona pa përkujdesje familjare, Raze Aliqkaj, thotë se puna me të moshuar është sfiduese.

Pjesë e shtëpisë së të moshuarve janë 82 persona, prej të cilëve, 49 gra dhe 33 burra. Vetëm gjatë vitit 2019, në këtë institucion janë vendosur 25 persona.