Pasi angazhoi Gani Sejdiun si trajner, Drenica ka nisur përforcimet edhe me lojtarë. Drenica e Skenderajt ka njoftuar të dielën se ka konkretizuar marrëveshjet me dy futbollistë të talentuar. Bëhet fjalë për Egzon Fazliun e Endrit Shalën.
Të dy ishin në të kaluarën pjesë e shkollës së futbollit të Drenicës, por në vitet e fundit janë zhvilluar te shkolla e futbollit Kurda. Endrit Shala është i lindur në vitin 2004, ndërsa luan si mesfushor. Egzon Fazliu është i lindur në vitin 2003 dhe është sulmues.
Të dy kanë firmosur për tre vjet.
“Kryesia e klubit Drenica është e përkushtuar ndaj talenteve të reja dhe këto dy marrëveshje nuk do të jenë të vetmet. Drejtuesit e klubit janë duke punuar që shumë shpejt të nënshkruhen kontrata edhe me talente të tjera, për të ardhmen e sigurt të klubit”, thuhet në njoftimin e Drenicës.
Drenica stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll e ka përfunduar në vend të gjashtë. Drenica të premten e zyrtarizoi Gani Sejdiun si trajner të ri.