Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, deklaroi se një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore nuk është në dëm të Kosovës.
Ai tha se i mirëpret marrëveshjet e tilla.
“Kemi hekurudha të dobëta, në fakt ato janë në gjendje të mjerueshme. Tani jemi në proces të renovimin në tërësi përmes një projekti të madh me BE-në dhe një marrëveshje me Serbinë nuk i bën asnjë dëm Kosovës”.
“Fakti që po ndodhin disa marrëveshje që kanë një karakter të qarkullimit të njerëzve, ngase për shkak të taksës nuk përfshihen mallrat, e mirëpresim. E kemi kërkuar edhe në të kaluarën një dialog pa kushte, pa heqjen e taksës”.
Këto komente Haradinaj i bëri pas homazheve te Obelisku i Hebrenjve, me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Përkujtim të Holokaustit.
Me këtë rast ai tha se “duke i nderuar të gjithë ata njerëz të pafajshëm, sigurohemi që tragjedi të tilla të mos përsëriten”.
Sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, ai pohoi se duhet të ndodhë sa më shpejt, përderisa shprehu habinë me vonesën.