Vlera e buxhetit prej 3 miliardë eurosh po konsiderohet ambicioze, por jo edhe e paarritshme nëse luftohet informaliteti ekonomik. Megjithatë, nga Qeveria Kurti po kërkohet program se si mund të arrihet të rritet buxheti i shtetit.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e fundit të qeverisë ka paralajmëruar se në ditët në vijim qeveria do ta draftojë programin dhe pastaj do ta paraqesë për shqyrtim në Kuvend.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, thotë për KosovaPress, se kjo qeveri për një mandat ka paraparë një buxhet prej 3 miliardë eurosh, mirëpo, ende nuk dihet për format e mbledhjes së këtij buxheti në këtë shumë.
Rukiqi pohon se pa e parë programin qeverisë nuk mund të komentohet rritja e buxhetit të vendit.
“Ende nuk e kemi parë një program të qartë, normalisht çështja e buxhetit përfshihet me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Dhe pa e parë atë dokument ne nuk mund të komentojmë. Për shifrën është lehtë të komentohet, mund ta arrihet apo nuk mund të arrihet 3 miliardë euro. Mirëpo, brenda një shifre duhet me parë burimin apo arsyeshmërinë pse mendohet të shkohet në këtë vlerë. Nuk është e pa arritshme dhe nëse luftohet informaliteti ekonomik në vend dhe nëse ka huazime të mjeteve nga institucionet ndërkombëtare financiare, atëherë, normalisht që kjo vlerë e buxhetit edhe mund të arrihet”, thotë ai.
Se a pritet të ketë rritje të tatimeve në vend për mbushjen e arkës së shtetit prej 3 miliardë eurosh, kreu i OEK-ut thotë se nëse ndodhë një gjë e tillë, do ta kundërshtojnë si komunitet i bizneseve.
“Nuk pres që të ketë rritje të tatimeve bazike në vend, së paku sepse ky ka qenë një zotim. Megjithatë nëse tentohet të rritet buxheti duke rritë tatimet pa i shfrytëzuar alternativat tjera që janë lidhur me luftimin e informalitetit, ne do të kundërshtojmë çdo tendencë për të rritur çfarëdo lloj takse në vend”, tha Rukiqi.
Edhe drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë se shuma prej 3 miliardë euro për buxhetin e shtetit në mandatin e qeverisë Kurti, është tejet ambicioze për këtë moment, pasi që nuk ka program se si mund të arrihet.
Panxha shton se zhvillimi ekonomik dhe sektori privat, si dhe mbushja e arkës së shtetit, mund të ndodhë duke luftuar informalitetin por edhe duke shkurtuar skemën sociale, që kanë qenë të shpenzuara në atë formë që nuk kanë sjellë efektin e duhur.
“Në qoftë se investimet kapitale vazhdojnë të jenë në asfalt dhe rrugë, prapë nuk mund të themi që është buxhet zhvillimor. Shpenzimet buxhetore, duhet të jenë të targetuara që të rritet aktiviteti përgjithshëm ekonomik. Të kemi përkrahje të prodhimit, përkrahje të eksportit dhe vetëm në këtë formë mund të themi se ky buxhet do të ketë efektin e vet”, thotë Panxha.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se zyra për planifikim strategjik në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës ka pranuar materialin dhe do të shndërrohet në një draft program qeveritar në një mbledhje të veçantë të qeverisë, ku pastaj do të dërgohet në Kuvend për miratim.
“Me këtë rast po iu njoftoj se për aspektin logjistik të një mbledhje të veçantë të qeverisë, ku ky draft-program qeverisës shndërrohet në program qeverisës, e ngarkoj zëvendëskryeministrin Abazi që të na e përgatit atë mbledhje dhe pas miratimit përfundimtar të programit qeverisës të vazhdojmë me diskutimin dhe miratimin e tij edhe në Kuvend të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Edhe opozita, veçanërisht shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza në ditën kur është zgjedh qeveria e re, ka kritikuar ekspozenë e Kurtit, dhe ka shfaqur dilemën për arritjen e buxhetit prej 3 miliardë euro, pa një program qartë qeverisës.