Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se qeveria e re s’do të lejojë, siç shprehet ai, getoizimin e Kosovës, sepse kjo sipas tij i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën e saj ndërkombëtare.
“Angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës është sistematik, që tregon se ajo është kundër marrëveshjes për normalizim. Kjo nuk është gjë e re. I ri është konteksti politik në Kosovës, ku institucione e reja që kanë legjitimitet të plotë qytetarë tani marrin përsipër agjendën e dialogut dhe politikës së jashtme”, shkruan Hoti në Facebook.
Është e qartë. Shkruan ai, se kjo agjendë e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE.
“Paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës karshi këtyre temave për shkak të kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na shpie në getoizim. Ne nuk do të lejojmë getoizimin e Kosovës, sepse kjo i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën tonë ndërkombëtare”, përfundon ai.