Bashkëshorti im, Mike, i kishte nëntë jetë, ose të paktën ashtu dukej. Kur ne u takuam, ai më tregoi për eksperiencat e tij të shumta kur ishte në prag të vdekjes e ndër to ishte edhe një infeksion që rezultoi me transplantim zemre kur ai ishte 35 vjeç. Ai ishte një mrekulli që ecën.
Thellësisht e admiroja atë dhe shpirtin e tij triumfues. Ai nuk i merrte gjërat afër zemrës, gjithmonë i merrte me lehtësi. Unë jetoja në një botë të logjikës dhe kisha nevojë për përgjigje në çdo gjë. Jeta ishte një baraspeshë ngjarjeve dhe efekteve të tyre. Unë besoja se karma ekzistonte dhe se çdo person e merr atë që e jep. Kur e takova Majkun, hasa në një mënyrë tjetër të të menduarit dhe ai ma dhuroi ndjenjën e vlerësimit të dhuratave të jetës.
Ne u takuam ditën e premte në një lokal të Los Angelesit dhe pas dy ditësh ne dolëm në takimin tonë të parë. E kaluam çdo ditë të shtatë vjetëve të ardhshëm pa e zhgënjyer njëri-tjetrin. Ai ishte njeriu im. Pesë javë pas takimeve me Majkun, ai përjetoi një sulm kardiak në shtëpinë time. E dëshpëruar e thirra ambulancën për ta ndihmuar atë, ai ndaloi së frymuari. Për 11 minuta, unë i bëra masazh zemre derisa arritën mjekët. Ishte e dukshme se ai nuk kishte oksigjen në trurin e tij. Nga rezonanca magnetike, mjekët më paralajmëruan mua se ai mund të ketë pësuar ndonjë dëm në tru dhe nuk dihej nëse do të mbijetonte. Në mënyrën e tij, Majku e befasoi tërë spitalin kur ai u përmirësua vetëm për dy javë.
Ishte një përvojë afër vdekjes që më bëri ta kuptoj se sa shumë e dua Majkun. Kur u mor vendimi që ai të vendoset në gjendje kome për sigurinë e tij, unë vendosa t’i qëndroj në krah dhe ta ndihmoj, pa marrë parasysh si do të rrjedhin gjërat. E tmerruar ashtu siç isha, e dija dhe e kuptova se isha e dashuruar në të. Ne u martuam një vit më vonë dhe u betuam që të mundohemi t’i kalojmë të gjitha ditët së bashku. Zemra e tij ishte dëmtuar dhe ai kishte nevojë për një transplantim të dytë të zemrës, por ne kishim besim se do ta tejkalonim, ashtu siç i kaluam të gjitha pengesat dhe dolëm fitimtarë.
Në vitin 2016, Majku sapo ishte bërë 46 vjeç, ishte tërësisht i përqendruar te shëndeti i zemrës së tij dhe mendonte tërë kohën për transplantimin e dytë. Një ditë në dush, ai e vërejti një gungë të vogël në gjoksin e tij dhe menjëherë më tregoi mua. I bindur se ishte një cistë, ai nuk shkoi për kontroll disa muaj. Unë më në fund e binda që të këshillohej nga një mjek për shkak se cista vetëm sa vinte e rritej. Kanceri kurrë nuk na shkoi në mendje.
As doktori i tij nuk ishte i shqetësuar, por vendosi që t’i bëjë disa teste. Pasi e bëri mamografinë, ai u diagnostikua me shkallën 3 të kancerit të gjoksit. Jo vetëm kancer, por kancer në gjoksin e mashkullit. Madje as nuk mendonim se ekzistonte një gjë e tillë. Gratë kanë kancer në gji, por burrat? Të alarmuar, e kuptuam se mundësia që një burrë të diagnostikohej me kancer në gjoks ishte 1 në 833.
Unë e kisha pranuar transplantimin e zemrës së Majkut si diçka normale, por mendimi se barërave të tij do t’i shtohen edhe ato të kancerit më shkatërroi. Isha emocionalisht e shkatërruar dhe e shqetësuar se çfarë do të thoshte kjo për ne. Ne e kishim rutinë ditore kontrollin e tij tek doktori i zemrës dhe vizitat e shpeshta tek klinika ku do të bëhej transplantimi dhe gjatë gjithë kësaj kohe prisnim ndonjë telefonatë për zemër të re. Pastaj e kuptuam se zemra nuk do të vijë kurrë për shkak se diagnostikimi me kancer ia pamundësoi një transplantim të suksesshëm. Nuk munda ta marr veten. Ne kishim bërë çdo gjë që kemi mundur dhe Majku ishte shumë i fortë. Si mundet që një diagnozë të na shkatërrojë aq shpejt?
Ne shpejtë e mësuam se personat që përdorin barëra të shumta pas një transplantimi organesh kanë dy deri në katër herë më shumë mundësi që të diagnostikohen me kancer. U ndieva fajtore për shkak se lejuam që transplantimi i dytë të na merrte aq shumë kohë. A duhej ta kisha ditur që ai ka më shumë gjasë të ketë kancer? A duhej të isha më e informuar për kancerin e gjoksit? Nuk mund ta besoja që burri im i çmuar po kalonte edhe një krizë shëndetësore. Për herë të parë, fillova të frikësohesha për të ardhmen.
I lashë të gjitha emocionet në një anë dhe hyra në një situatë ku luftoja me veten. Isha një grua e papunë, u ktheva në një infermiere de fakto, e cila nuk ia humbiste as edhe një minutë të kohës së ilaçeve. Ne do ta mposhtim këtë, sikurse çdo sfidë tjetër që Majku e ka kaluar me një optimizëm absolut. Në janar të vitit 2016, ai kishte një përkeqësim radikal në pjesën e majtë të gjoksit, duke ardhur në përfundim se tashmë kanceri i ishte shpërndarë. E kishim kuptuar se tashmë kanceri kishte ndikuar shumë në trupin e tij dhe nuk mund të largohej me operacione. Dhe kështu, beteja me kancerin u bë e kotë.
Imuniteti i shkatërruar i Majkut si dhe transplantimi i zemrës ia kishin pamundësuar atij që të jetë pjesë e kimioterapisë. Ai po luftonte në një luftë të humbur, por që për ne kishte ende shpresa. Isha e dërrmuar dhe e stresuar, se si tërë ato sfida nuk arritën ta merrnin Majkun nga unë, ndërsa kjo mund të jetë e fundit.
Gjatë këtyre muajve të fillimit, unë nuk ndieja asnjë dhimbje dhe isha tërësisht e përqendruar tek ilaçet e Majkut. Mamografia bëhej pas dyerve të mbyllura, ndërsa në ato dyer shkruhej: “VETËM GRATË”. E kush do ta mendonte se një burrë do të duhej t’i nënshtrohej mamografisë. Të paktën jo unë, e aq më pak burri im! Nuk mendoja se si ndihej ai. Zemra më dhimbte për të. Sa do të doja që të isha unë në vend të tij, aty brenda, e vetme.
Ne filluam ta vlerësonim kohën që po e kalonim së bashku. Më shumë se kurrë, ne e dinim që e nesërmja nuk ishte e premtuar, kështu që ne shëtitnim vazhdimisht dhe e jetuam momentin për aq sa ishte e mundur. Pa marrë parasysh frikën time, unë mësova që ta vlerësoj bukurinë e së tashmes. Unë gjithmonë isha e zhytur në filozofinë e Budizmit, por jeta me Majkun, pa dëshirën time, më mësoi si ta praktikoj atë në jetën reale. Kisha një vetëdije të plotë se jeta është me të papritura dhe fillova t’i vlerësoja bekimet e lidhjes sonë. Isha e tmerruar për të ardhmen, por fuqia e dashurisë më bëri që ta gjej një paqe të përditshme. Kisha pritur për 34 vjet që ta takoja këtë njeri dhe doja që ta vazhdoja çdo eksperiencë të jetës me të, çdo ditë me të. Kur ne u martuam në vitin 2012, Majku më kishte premtuar që të më dërgojë për një udhëtim të ëndrrave në Evropë për përvjetorin tonë të pestë. Ai e dinte që unë gjithmonë kisha fantazuar për të shkuar në Paris dhe ndërkohë që ilaçet e kancerit gjithmonë shkonin drejt dozave më të rënda, Majku filloi gjithsesi ta bëjë planin për pushim. U tmerrova. Majku refuzoi që ta anulojmë planin. Ai më tha se ne duhet ta jetojmë jetën me të gjitha që ajo na ofron, pa marrë parasysh diagnozën ose ndonjë pengesë tjetër – NE DUHET TË SHKOJMË NË EVROPË.
Edhe pse isha shumë e frikësuar, nuk kisha guxim ta refuzoja këtë mundësi. Çfarë nëse kjo është dëshira e tij para vdekjes? E dija që ky udhëtim do të jetë ndryshe nga aventurat tona të mëparshme. Majku tani ishte shumë i dobët për të mbajtur ndonjë valixhe ose të vrapojë drejt transportit të ngarkuar. Unë isha e shqetësuar që ai nuk do t’ia dilte ta menaxhonte gjendjen, por në fakt, dyshoja edhe në aftësitë e mia për t’u kujdesur për të dy.
Ne e rezervuam hotelin për akomodim, i eliminuam udhëtimet në vende tjera të Evropës të cilat i kishim planifikuar dhe gjërat i morëm shtruar, ashtu siç bënte gjithmonë Majku. Ai po e injoronte realitetin e situatës sonë.
Edhe pse kishim sfida të përditshme, ne e realizuam ëndrrën tonë dhe e festuam përvjetorin tonë në Paris. Ne u kthyem në Shtetet e Bashkuara dhe për pak kohë kjo na kishte ndihmuar që ta harrojmë realitetin.
Ndërkohë që kanceri po përparonte në boshtin e tij kurrizor dhe eshtrat e tjerë, gjërat ndryshuan shumë për të. Edhe pse zemra e tij mrekullisht qëndroi stabile, gjendja e tij ishte shumë e rëndë për të lëvizur. Ai u bë i varur nga aparati i oksigjenit dhe filloi të lëvizte me një karrocë. Por kurrë nuk e humbi shpirtin e tij prej optimisti. Ne duhej që çdo ditë të shkonim të merrnim trajtim me rreze. Unë u shndërrova në kujdestaren e tij dhe jeta jonë martesore u bë edhe më e vështirë se sa e kisha menduar se do të bëhej. Betimi ynë i martesës “në sëmundje e në shëndet” ishte një realitet i trishtë.
Unë isha e sfiduar mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht, por teksa e shikoja këmbënguljen e Majkut, mësova aq shumë se si ta jetoj jetën në të vërtetë. Kur tashmë isha bindur se ai ishte në fazën e fundit të jetës së tij dhe nuk kisha se çfarë të bëja, atij doktorët i thanë se tani duhet të qëndrojë në shtëpi dhe të mjekohet nga shtëpia. Zemra mu thye, isha e shkatërruar nga mendimi se po e humbja shokun më të mirë të jetës, por e dija se nuk doja që ai të vuante më tepër. Unë u mundova që ditët e tij të fundit t’ia largoja dhimbjet dhe ta bëja t’i shijonte, të paktën aq sa mundja.
Ai ishte tmerrësisht i dobët dhe ishte i sigurt që fundi i tij ishte afruar. Gjithsesi, ndërkohë që historia e tij e mrekullive mund të parashikohej, Majku u këndell, fitoi pak peshë dhe u bë “mirë” mjaftueshëm sa për t’i kaluar gjashtë javë me ne, duke dalë jashtë për të ngrënë, duke u shoqëruar me familjen dhe shoqërinë dhe duke e shfrytëzuar atë kohë që i kishte mbetur. Ai madje këmbëngulte për të më dërguar mua tek restoranti im i preferuar për gjashtëvjetorin e martesës. Unë kisha vështirësi që ta vishja, ndërkohë që ai ishte shumë i dobët, por ne e vendosëm karrocën në makinë dhe shkuam në një restorant më afër për ta festuar bashkimin tonë. Isha e mahnitur se si ia kishim dalë edhe për një vit dhe ndihesha më shumë se e bekuar që isha e ulur në tavolinë me burrin tim të mrekullueshëm dhe në dashuri si asnjëherë më parë.
Ky festim ishte hera e fundit që Majku doli nga shtëpia. Ai ndërroi jetë paqësisht në shtëpi dy javë më vonë, më 14 maj 2019, në moshën 48 vjeçare. Ai luftoi për një kohë të gjatë dhe më e rëndësishme për të, ai e plotësoi çdo premtim që ma kishte dhënë. Premtimi i tij më i madh ishte se ai do të sigurohej që unë do të isha mirë kur ai të shkonte në botën tjetër. Ai i kishte telefonuar shoqërinë dhe familjen, duke i kërkuar atyre që të kujdeseshin për mua për çdo gjë që do të kisha nevojë, kur ai të mos ishte më. Më duhet ta pranoj se të qenët “mirë” pa të, ishte një sfidë e madhe , por shembulli i tij se si duhet ta shijojmë momentin dhe ta jetojmë çdo ditë sikur të ishte e fundit, më bëri më të fortë se që e kisha menduar. Dhurata e dashurisë së tij ishte plotësimi i shpirtit tim. Majku ishte një mrekulli që ecte. Në fakt, mënyra se si i jetuam këto nëntë vjet është mrekulli në vete. Ai ishte arsyeja e shumë gjërave të bukura në jetën time dhe ai i frymëzoi shumë njerëz rreth vetes, të cilët ishin dëshmitarë të rrugëtimit të jetës së tij.
Unë kisha mësuar se kanceri i gjoksit tek meshkujt është i vërtetë dhe është vdekjeprurës. Edhe pse është e rrallë për një burrë, ka më shumë gjasë që tek meshkujt ai të jetë më i avancuar sesa tek gratë. Rastet e mbijetesës janë më të rralla tek meshkujt sesa tek gratë. Jam e bindur se sikur të dija më shumë për kancerin e gjoksit, do ta detyroja Majkun që të kontrollohej tek një doktor. Vetëm mund të spekuloj se si gjërat do të mund të ishin.
Tani, një vit pas humbjes së Majkut, unë vetëm mund të shpresoj që burrat dhe gratë tjera të jenë të vetëdijshëm se sa mizor mund të jetë kanceri dhe se nuk bën dallime tek askush.
Dua që këto fjalë t’i mbani në mend.