Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës ka reaguar ndaj thirrjeve për mbylljen e transmetuesit publik të vendit. Reagimi i drejtohet njërit prej drejtuesve të institutit GAP, Agron Demi, i cili edhe bëri një thirrje të tillë.
Për sindikatën është shqetësues fakti se këtë thirrje e ka përkrahur edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku.
Reagimi i plotë i sindikatës së RTK-së:
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së dënon ashpër thirrjen e njërit prej drejtuesve të Institutit GAP, Agron Demi i cili mbrëmë në rrjetin social FCB ka bërë thirrje për mbylljen e RTK-së sepse nuk i paska pëlqyer një emision i transmetuar.
Edhe më shqetësues është fakti se këtë thirrje e ka shpërndarë edhe deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Mullhaxha- Kollçaku e cila është deputete e Kuvendit të Kosovës, njëherësh themeluesit të RTK-së.
Kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës ta dënoj këtë thirrje qëllimkeqe dhe të distancohet nga deputetja Kollçaku. Po ashtu kërkojmë nga Vetëvendosje që të distancohet nga kjo thirrje për mbylljen e RTK-së.
Ju rikujtojmë se kohën e fundit është duke u bërë presion i vazhdueshëm mbi RTK-në, kur para pak ditësh Qeveria e Kosovës e ka përgjysmuar buxhetin edhe ashtu të vogël të RTK-së. Sindikata ju bënë me dije kujtdo që ka këtë qëndrim ndaj RTK-së, se kjo dëshirë e këtyre individëve nuk do të arrihet kurrë.
Po ashtu rikujtojmë se RTK e ka plan-programin e saj të punës dhe politikat redaktoriale dhe nuk punon sipas diktateve të individëve të cilët në vend se të bëjnë thirrje për miratimin e ligjit të ri të RTK-së, të njëjtit i shfrytëzojnë pozitat e tyre për ta dëmtuar RTK-në. Sindikata kërkon edhe nga shoqëria civile dhe mediet t’i dënojnë këto thirrje qëllimkëqija ndaj RTK-së.