Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët të cilët mbrëmë kanë miratuar ligjin për buxhetin 2020.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se “qëndrimi i deputetëve për mbi dhjetë orë në Kuvend për ta miratuar ligjin për buxhetin 2020 dëshmoi përgjegjësi të lartë përballë situatës së pandemisë që ka prekur tashmë sidomos kontinentin tonë”.
“I falënderoj deputetët e LDK-së, ata të pakicave dhe të VETËVENDOSJE!-s, për përkushtimin dhe mbështetjen. Në veçanti, i falënderoj deputetët me probleme shëndetësore, prej z. Fetah Rudit në karrocë invalidore e deri te z. Hatim Baxhaku i operuar në zemër para vetëm një muaji e gjysmë”, ka shkruar ai.
Kurti ka lavdëruar punën e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, për organizimin e seancës së jashtëzakonshme.
“Organizimi dhe mbarëvajtja e mbledhjes së djeshme të jashtëzakonshme nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, ishte i jashtëzakonshëm. Nga kontrolli mjekësor në hyrje të sallës gjer te ndjekja e përpiktë e hollësive procedurale. Ishte kjo një ditë e gjatë me sukses të plotë. Miratimi i buxhetit vjetor është ndër hapat më të rëndësishëm për të përballuar sfidat aktuale, e për të zbatuar programin e qeverisë së ndryshimit. Të falemnderit Kryeparlamentare”, ka shkruar ai.