Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se FSK-ja është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga Covid-19.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19.
Sipas tij, edhe Policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike.
“Rolin kryesor tani e kanë qytetarët. Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten”, ka shkruar ai.
Thaçi ka thënë se si shtet janë të përgatitur për t’u përballur me gjendjen e krijuar.
“Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilat duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm. Së bashku do të tejkalojmë edhe këtë sfidë”, ka shkruar tutje ai.
Presidenti të martën ka njoftuar se do të dërgojë në Kuvend dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo ka ardhur pas një mbledhjeje me Këshillin Kombëtar të Sigurisë.
Mirëpo një gjë e tillë është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës, e cila përmes një konference nga zëvendëskryeministri Haki Abazi, ka konsideruar që shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është e panevojshme.
Nga kjo ka ardhur edhe deri te shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, i cili ka deklaruar se duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Kryeministri Kurti pas shkarkimit të tij, ka mbajtur po ashtu një konferencë për media, nga ku ka thënë se Veliu ka nxitur panik te njerëzit.
Pas shkarkimit të Veliut, LDK ka ngritur një mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, e në të cilën partner në qeverisje është edhe vet.
Këtë mocion e kanë përkrahur edhe AAK, AKR e Nisma Socialdemokrate.
Ende nuk është caktuar seanca kur do të votohet mocioni, por se sot, lideri i LDK-së, Isa Mustafa i ka bërë thirrje Kurtit ta tërheq vendimin për shkarkimin e Veliut, t’i kërkojë falje LDK-së dhe ta heq tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës.