Fjalë Kyçe

Konjufca – diasporës: Kthehuni në Kosovë vetëm në raste urgjente

Konjufca – diasporës: Kthehuni në Kosovë vetëm në raste urgjente

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në krye me Glauk Konjufcën, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që vetëm në rastet urgjente të paraqiten në ambasadat dhe konsullatat e këtij shteti për t’u përfshirë në listën e kthimit.

Kjo thirrje ndaj kosovarëve që jetojnë jashtë vendit po vjen si pasojë e rrezikut shumë të madh të përhapjes së COVID-19 apo ndryshe të njohur si koronavirusi.

Në këtë komunikatë të lëshuar për diasporën kosovare, tregohet se të gjithë ata që arrijnë në territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës apo kufijve tokësorë, do të dërgohen në karantinë për 14 ditë.

Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se rreth 850 qytetarë janë lajmëruar në ambasadat që Kosova ka në botë me kërkesë për rikthim.

Ndërkaq, në Kosovë dje kanë arritur rreth 96 shtetas këtij vendi, të cilët janë kthyer nga Duseldorfi i Gjermanisë, ata janë dërguar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila është shndërruar në karantinë.