Trepça ’89 e pati një sezon të luhatshëm në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Mitrovicasit bënë ndryshime të mëdha në ekip para fillimit të sezonit dhe kjo reflektoi në mungesë komponimi.
Ata patën rënie të madhe sidomos në xhirot e fundit të sezonit, me ç’rast edhe përfunduan në barazh.
Tash, “Xehetarët” do ta kërkojnë qëndrimin në IPKO Superligë përmes ndeshjes që do ta zhvillojnë me Vëllaznimin në barazh në ditët e para të muajit qershor.
Ndërkohë, ata paraprakisht mund ta marrin një lajm të madh.
Në fakt, 89-shi është kualifikuar në finale të Digitalb Kupës së Kosovës dhe një fitore eventuale ndaj Feronikelit këtë të premte mund t’ia mundësojë ekipit gjelbër e bardh pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm.
Pra, Trepça ’89 gjendet në mes dy zjarresh, në mes rrezikut për të rënë nga liga dhe pjesëmarrjes në Evropë.
Kjo skuadër kishte marrë pjesë në garat evropiane parvjet si kampione e Kosovës.