Pasi u nënshkrua kontrata prej 5.5 milionë euro ndihmë Qeverisë së Kosovës nga BE-ja për t’u përballur me koronavirusin, pak minuta më pas erdhi njoftimi edhe nga SHBA-ja për një ndihmë prej 1.1 milion dollarëve.
Kjo ndihmë do të shërbejë për të siguruar mbështetje operacionale dhe për të rritur aftësinë e reagimit të Kosovës kundër përhapjes së koronavirusit dhe për të zbutur ndikimin e COVID-19, raporton KOHA.
Këtë e ka bërë të ditur ambasadori amerikan në Kosovës, Philip Kosnett përmes një video mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter.
Kosnett ka vlerësuar punën e institucioneve shëndetësore në trajtimin e pandemisë.
“Kosova po pranon 1.1 milion dollarë asistencë për të luftuar virusin dhe për të zbutur efektet e tij. Aftësia e popullit të Kosovës për t’u përshtatur dhe përkushtimi i stafit shëndetësor dhe reaguesve tjerë të shpejtë, ka qenë e jashtëzakonshme. Së bashku mund ta mundim Covid-19. Amerika qëndron përkrah Kosovës”, ka thënë Kosnetti.
Studentët e nivelit bachelor të Universitetit të Prishtinës, që janë në pritje të diplomimit, shumë shpejt mund t’i mbrojnë temat e tyre në mënyrë virtuale.
Për këtë çështje, Universiteti i ka ftuar njësitë akademike që t’i bëjnë përgatitjet e duhura teknike e ligjore që studentët e interesuar t’i mbrojnë në këtë formë temat e diplomave, raporton KOHA.
Prorektori për mësim dhe çështje të studentëve, Hysen Bytyqi, ka deklaruar për “Kohën”, se kjo do të nisë një herë me nivelin bachelor e më pas edhe master.
Sipas tij, studentët e nivelit bachelor mund të konsultohen me mentorët e tyre dhe që nga java e ardhshme mund t’i nisin procedurat për mbrojtje të diplomës online.
Universiteti i Prishtinës përmes një njoftimi ka theksuar se detajet për mbrojtje të temave përmes metodës virtuale do të sqarohen përmes një udhëzuesi që do t’u dërgohet të gjitha fakulteteve.
Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, mbrojtja e temave të diplomave në mënyrë virtuale mund të realizohet pa problem.
Kjo pasi siç thotë ai është më shumë akt ceremonial, sesa një provim i mirëfilltë.
Ndërkaq, për mbajtjen e provimeve online, Pupovci thotë se kjo është më problematike për shkak të numrit të madh të studentëve dhe mungesës së kufizuar të kontrollimit.
Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se menaxhmenti i tij është duke u angazhuar të gjejë format më të përshtatshme që provimet e afateve të rregullta të realizohen në mënyrë virtuale.
Ndërkaq, sa i përket afatit të prillit, UP-ja ka njoftuar se mbajtja e provimeve online është e parealizueshme për çka ka kërkuar mirëkuptim nga të gjithë studentët.