Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në lidhje me hapat që duhet të ndërmerr pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.
Ai është shprehur se Kosova gjendet në një situatë, e cila në njërën anë karakterizohet me rrezikun e shtuar nga pandemia e virusit COVID-19 dhe në anën tjetër me votën e mosbesimit për Qeverinë Kurti të datës 25 mars 2020.
“Në këto rrethana është qenësore që të konsultohemi dhe të veprojmë me përgjegjësi para qytetarëve”, ka thënë presidenti Thaçi i cili gjatë ditës ka vazhduar konsultimet me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të diskutuar për zhvillimet aktuale politike, por edhe nga fusha e shëndetësisë dhe sigurisë në Kosovë.
Të gjithë liderët përpos Albin Kurtiti janë pajtuar që vendi të mos shkojë në zgjedhje.
Presidenti mbrëmë gjatë një interviste ka thënë se do të punojë në shmangien e zgjedhjeve të reja.