Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, këtë javë është mbrojtur tema e parë e diplomës në mënyrë virtuale.
Kjo formë e re e diplomimit ka ardhur pas vendimit të UP-së që temat të mbrohen online, gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Besnik Emërllahu, tashmë ka marrë titullin Inxhinier pasi ditë më parë, me temën ‘Diagonstikimi kompjuterike i sistemeve të automjeteve në autoservisin ‘Fatoni’, diplomoi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Kështu, ai u bë studenti i parë që temën e diplomës arriti ta mbrojë në mënyrë virtuale”, shkruan në njoftimin për shtyp të Universitetit “Hasan Prishtina”, transmeton KOHA.
Ceremoninë e diplomimit të tij e ka nisur dekani i FIM-s, prof. dr. Ahmet Shala dhe sipas procedurave mbrojtja u bë para komisionit të përbërë nga: prof. dr. Ilir Doçi (kryetar), prof. dr. Arbnor Pajaziti (mentor-anëtar) dhe prof. ass. ar. Ramadan Duraku (anëtar).
“Kjo mënyrë e diplomimit ka nisur për nivelin baçelor, por pritet të vazhdohet edhe me atë master, me qëllim që të u mundësohet studentëve diplomimi në kohë”, shkruan në njoftimin e UP-së.