27 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në Kosovë, teksa 20 prej tyre vijnë nga Prishtina. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se të gjitha janë raste kontakti të personit të infektuar disa ditë më herët, shkruan lajmi.net.
Po ashtu, Ahmeti ka bërë të ditur se lagja “Mati 1” do të jetë nën masa të shtuara policore.Në këtë kontekst, kjo lagje do të jetë e monitoruar nga Policia e Kosovës. Po ashtu, nga nesër janë paralajmëruar edhe një sër masash, më të ashpra kundër përhapjes së COVID-19.
Ndryshe Prishtina është shpallur zonë e karantinuar. MSH-ja përmes një njoftimi për media, thotë se nga 94 mostra të testuara sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, për SARS-Cov-2, 20 prej tyre kanë rezultuar pozitive në Prishtinë. Rastet e tjera nuk janë sqaruar se ku kanë rezultuar pozitive.
“Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë”, thuhet në njoftim.
Me këtë vendim, ndalohen hyrje dhe daljet në komunën e Prishtinës.