Fjalë Kyçe

Kosova dhe Shqipëria koordinojnë veprimet, pas situatës së krijuar me koronavirusin

Kosova dhe Shqipëria koordinojnë veprimet, pas situatës së krijuar me koronavirusin

Kosova dhe Shqipëria do të intensifikojnë bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë, e po ashtu, do t’i koordinojnë aktivitetet e tyre për eliminimin e pengesave në qarkullimin e prodhimtarisë bujqësore në mes të dy vendeve.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Ministria e Bujqësisë, ku kanë njoftuar se ministri në detyrë, Besian Mustafa është takuar sot me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Mustafa ka diskutuar me Minxhozin rreth veprimeve mes të dyja shteteve pas situatës së krijuar nga pandemia.

“Në situatën me të cilën po përballemi, u pajtuam me Ambasadorin Minxhozi që të rrisim bashkëpunimin dhe të koordinojmë aktivitetet në mes të dyja vendeve, për të lehtësuar lëvizjen e prodhimeve bujqësore dhe për të shikuar të gjitha mundësitë që kemi që të mbrojmë prodhuesit tanë nga të gjitha rreziqet që mund të përballen në këtë kohë pandemie”, ka thënë Mustafa.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka falënderuar Ministrin për gatishmërinë e tij për të avancuar bashkëpunimin në mes të dyja shteteve në bujqësi dhe ka rikonfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të rritur bashkëpunimin në funksion të zhvillimit bujqësor tek të dy vendet.