Fjalë Kyçe

Mjeku imunolog, Genc Sulçebe: Shqiptarët mund ta fitojnë imunitetin ndaj COVID-19 para daljes së vaksinës

Mjeku imunolog, Genc Sulçebe: Shqiptarët mund ta fitojnë imunitetin ndaj COVID-19 para daljes së vaksinës

Mjeku imunolog, Genci Sulçebe foli mbi avancimet drejt zbulimit të vaksinës së COVID-19 dhe mënyrat se si po trajtohet ky virus, në pritje të zbulimit te kësaj vaksine.

I pyetur lidhur me teoritë sipas të cilave COVID-19 lë pas tek personat që e kanë kaluar një mbrojtje të fortë imunitare, mjeku Sulçebe shpjegoi se studiuesit tregohen të rezervuar në këtë pikë duke qenë se kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur plotësisht, por shton se nisur nga sjellja e Sars Cov1, ka shumë gjasa që personi i prekur nga COVID-19 të garantojë një mbrojtje afatgjatë.

“Në favor të kësaj teze është edhe fakti se janë 4 coronaviruse që kapin njeriun, që nuk janë të tipit Sars dhe duhet se kur kalojmë një grip apo ftohje që shkaktohen nga këto viruse, mbrojtja është e kufizuar, zgjat disa muaj, ndërkohë që dihet se Sarsi i parë, ai që shkaktoi epideminë në 2002, lë një mbrojtje më të zgjatur.

Janë parë antitrupa në Sars Cov1 që japin një mbrojtje deri në disa vjet. Duke qenë se COVID-19 është e ngjashme me Sars mendoj se mbrojtja duhet të jetë afatgjatë. Ai që ka kaluar këtë sëmundje do të ketë një mbrojtje afatgjatë, deri sa të dalë vaksina”, tha mjeku, një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania.

Sa i përket vaksinës kundër COVID-19, mjeku zbuloi se në ditët në vijim ajo do të testohet tek 5 mijë vetë në mënyrë që të shihet se si do të reagojë organizmi, me qëllimin final që nga vjeshta të nisë prodhimi në masë dhe shpërndarja e saj.

Sipas tij, fundi i këtij viti do ta gjejë botën me një vaksinë kundër COVID-19, por në Shqipëri nisur nga ritmi me të cilin ka ecur epidemia, i famshmi ‘imuniteti i tufës’ mund të arrihet para daljes së vaksinës.

“Thuhet se në ditët ose javët më vazhdim mund të aplikohen në 5 mijë vetë. Merret një virus i aktivizuar dhe futet materiali gjenetik i proteinës S, që krijon imunitet në SarsCov-2, më pas injektohet  për të prodhuar një përgjigje imunitare. Të gjithë duam që gjatë verë virusi të zhduket. Këta studiues nuk duan. pasi duan të shohin si do reagojë vaksina.

Por me këtë ritëm që ka shkuar epidemia në Shqipëri mund të arrihet imuniteti i popullatës ose i ashtuquajturi imuniteti i tufës deri në fund të vitit.

Pra, po bëhet një garë mes vaksinës dhe imunitetit artificial që ajo do të ofrojë dhe imunitetit të arritur në mënyrë natyrale”, shpjegoi mjeku.

Z. Sulçebe tha se metoda e kurimit me antitrupa është e njohur për mjekësinë pasi është përdorur edhe në trajtimin e sëmundjeve të tjetra infektive, por kjo metodë sipas tij mund të ketë një përdorim shumë të kufizuar, nisur nga rrethana se plazma që do të merret nga pacienti i shëruar nga COVID-19, krijon një mbrojtje të përkohshme, maksimumi  muaj.