Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar për vdekjen e 40-vjeçares shtatzënë nga Gjakova, e cila ishte konfirmuar me koronavirus.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti është shprehur shumë i pikëlluar për rastin në fjalë.
Ai ka thënë se është njoftuar se viktima ka qenë në gjendje të rëndë që nga momenti kur ishte pranuar në Klinikën Infektive.
“Në vend se të vijë në jetë edhe një, u shuan dy V.P., nënë e një vajze dhe një djali, ishte në pritje të fëmijës së saj të tretë. Ajo ishte në javën e 28 të shtatzënisë. Por, fatkeqësisht, ajo nuk pati rastin që ta përqafojë foshnjën e saj as edhe njëherë të vetme. Edhe pse shumë prej nesh nuk e njohëm bashkëqytetaren tonë, ky rast sot na pikëlloi tej mase. Jam njoftuar që gjendja e saj ka qenë e rënduar prej kur është pranuar në Klinikën Infektive në Prishtinë me 15 prill. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor dhe kujdesit ndaj tyre, nëna dhe fëmija ndërruan jetë”, ka shkruar Kurti.
Kurti me këtë rast u ka shprehur ngushëllime familjarëve për rastin në fjalë, nga ku edhe ka bërë thirrje që qytetarët t’u përmbahen të gjitha rekomandimet e IKSHP-së.
“Bashkëshortit, fëmijëve dhe mbarë familjes të së ndjerës u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Një humbje shumë e madhe, në një kohë të vështirë e të pazakonshme. Prandaj, ju lutem përmbajuni masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ashtu që ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin. Secila jetë është e pazëvendësueshme”, ka shkruar Kurti.