Në gjendje të dehur e jashtë detyrës, një polic para tri ditësh po u tregonte qytetarëve të Gjakovës t’i respektojnë vendimet e institucioneve për mbrojtje nga koronavirusi.
Për shkak të gjendjes së tij, situata doli jashtë kontrolli e pati përleshje verbale me banorët e lagjes së Spitalit në këtë qytet.
Sipas policisë, menjëherë kanë ndërhyrë njësitet patrulluese, që në stacionin policor kanë shoqëruar dy qytetarë dhe zyrtarin policor.
Këtë e ka konfirmuar edhe komandanti i Policisë së Gjakovës.
I njëjti është suspenduar vetëm tri ditë dhe sipas komandantit të Policisë, Lumni Graishta, ai pritet të kthehet në punë të enjten deri në një vendim tjetër.
Ndaj tij është iniciuar rast për prishjen e rendit dhe qetësisë publike, për të vazhduar me veprimet e tjera hetimore e lënda nga policia është përcjellë në Inspektoratin Policor të Kosovës. Këta të fundit në një përgjigje me shkrim kanë thënë se kanë intervistuar qytetarët e përfshirë, por në mungesë të elementeve të veprës penale rasti s’po trajtohet si i tillë, por vetëm do të verifikohet e kaluara e policit.
Policia rajonale e Gjakovës bën me dije se polici i përfshirë në këtë incident është polic i ri dhe s’ka pasur probleme më parë.