I dekretuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se zgjedhja e qeverisë së re do të ndodhë në mënyrë demokratike dhe votimi i saj nuk do të përbën “cenim të Kushtetutës”.
“Legjitimimi i institucioneve ekzekutive të Kosovës, përmes votimit të Qeverisë së re, do të ndodhë në mënyrë demokratike përmes votës së përfaqesuesve të popullit në Kuvend. Asnjë shkronjë e Kushtetutës nuk do të cenohet, përkundrazi, ajo do të respektohet e lartësohet”, ka thënë Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së enjte e ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Vetëm pak çaste pas shpalljes së këtij dekreti, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.
Vendimi i presidentit Thaçi pason votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kuvend, më 25 mars.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deponuar në Kuvend, kërkesën me 61 nënshkrime të deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të shtunën, më 2 maj, me pikën e vetme, zgjedhjen e qeverisë së re.
https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/3238085592919439?__xts__[0]=68.ARDQM1H4G1B3CvmYXCSZhzPxplPd7pxFNcS9_pWU4_hNOPhEoQi_-FmKAUWSpnCfzPw88ep0ZnH7dzOTJ1eAK-xYUYcPu0Z72KfgGv4PZNiG5SRExuLopnD8qIu4scwwuiOvtLU7kfufgnS_qj6N7wE6-QD_iQo0hvdiKpoDgFsnU5HPxG3rjQ7UOr-e2nHZmgQYT_eAqahdIFV3r839v_A3Pefq0dm-AkNIkhLSrV7ihxbtC6NES-mZ_rH0fN8C0HKf_OIhl1PJJ6N0nVbq5L04HrwN5nzx0kqNJUlLzUbcXxZwAEVqwLb7d0dZXtkvgeoA90BVHQD0PDGHqIlEjw&__tn__=-R