Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bradiqi, ka thënë se 26-vjeçari nuk kishte asnjë dokument që vërtetonte se vuante nga ndonjë sëmundje.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bradiqi, ka bërë ditur se 26-vjeçari i cili në mënyrë tragjike dje ndërroi jetë në karantinë nuk ka pasur asnjë dokument i cili vërteton se ai ka qenë i sëmurë.
Sipas Bradiqit, të gjithë personat që kanë vuajtur nga ndonjë sëmundje kronike dhe që e kanë vërtetuar një gjë të tillë përmes raporteve mjekësore, janë marrë parasysh nga mjekët dhe më pas është marrë vendimi që të lirohen në shtëpi, raporton lajmi.net.
“Është procedurë standarde administrative e cila realizohet për personat që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe organizohen në mënyrë administrative dhe ekipet mjekësore thirren nga SHSKUK-ja dhe atëherë pas rekomandimit të tyre dhe IKSHPK-së dhe më pas ministri nxjerr vendim. Nuk kemi pasur as edhe të vetmin dokument që do të vërtetonte një gjë të tillë për të ndjerin”, ka deklaruar Bradiqi.
Në anën tjetër ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur në konferencën për medie se ka kërkuar nga organet e rendit që të hetohet në detaje vdekja tragjike e 26-vjeçarit.