Fjalë Kyçe

Qytetarët u treguan të papërgjegjshëm ditën e parë të heqjes së masave shtërnguese

Qytetarët u treguan të papërgjegjshëm ditën e parë të heqjes së masave shtërnguese

Pa maska si dhe duke mos e respektuar distancën sociale, nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës është vërejtur një fluks më i madh qytetarësh të hënën, ditën kur nisi zbatimi i masave më të buta ndaj pandemisë së koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë kishte bërë të ditur gjatë javës së kaluar zbutjen e këtyre masave, duke e rritur orarin e lëvizjes së qytetarëve nga 90 në 180 minuta. Zbutja e masave ka ardhur teksa numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë po vazhdon të bjerë.

Radhë të gjata dhe mospërfillje e distancës është vërejtur në Ferizaj, para bankave të këtij qyteti, në pamjet e siguruara nga KOHA.

Një situatë e ngjashme ka qenë të hënën edhe në Prishtinë, gjë që ka nxitur reagimin e Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.

“Qarkullim shumë i madh i kerreve dhe njerëzve në qytet. Përveç që masat nuk janë largu, do të ishte shumë keq në qoftë se këto ditë ndodh ndonjë shpërthim i ndonjë vale të re të infeksionit. Ju lutem të keni kujdes. Ju lutem mos dilni pa nevojë”, ka shkruar Ahmeti.

Rreth kësaj ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. IKSHPK-ja përmes një statusi në Facebook ka tërhequr vërejtjen rreth fluksit të shtuar të qytetarëve, duke e kritikuar këtë “sjellje të rrezikshme”.

“Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtën e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”, shkruhet në reagimin e IKShPK-së.

Të hënën pas më shumë se shtatë javëve janë hapur edhe dyqanet e vogla në bazë të hapësirave me metër katror, si dyqanet zejtare dhe butiqet.