Aliu përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë që të jenë të kujdesshëm, në mënyrë që sipas tij të mos rrezikojmë një “shpërthim të ri të virusit”.

Postimi i plotë i Aliut:

Karantina u hoq, por jo edhe masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19!

Sheshet plot, rrugët me qarkullim të shtuar të veturave, shetitjet me bicikleta, daljet e panevojshme rrezikojnë një shpërthim të ri masiv të virusit mes nesh.

Ju lutemi, mos e ktheni në zero përpjekjen e profesionistëve, ekipeve emergjente që ta kalojmë pa pasoja fatale këtë pandemi.

Respektoni orarin e qarkullimit sipas ndarjes kohore në bazë të numrit personal në letërnjoftim, mbani distancën fizike e kujdesin për higjienën personale, mos lejoni që Ferizaj tash kur është në majën e komunave me numrin më të lartë të të shëruarve të kthehet në burim masiv infeksioni nga ky virus.

Kjo lutje është për ju, për ne, që e mundëm e po e mundim çdo ditë valën shkatërruese njerëzore e ekonomike që bart ky virus.

Para se të hedhësh hapin jashtë shtëpisë, ki mendjen tek familja, tek rreziku që i kërcënon nga çdo dalje e panevojshme!