11 raste janë konfirmuar sot me koronavirus në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur IKSHPK përmes një njoftimi.
Siç njoftohet sot më 11 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Studime e epërme), komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren), komuna e Prishtinës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prishtinë) dhe 1 rast me vendbanim në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
IKSHPK ka njoftuar se sot janë shëruar edhe 2 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 657 raste.
“Nga data 08 shkurt deri më 11 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.130 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 895 raste, me gjithsej 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet tutje në njoftim.
IKSHPK edhe sot ka bërë thirrje për kujdes dhe për respektim të masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.