Fjalë Kyçe

Kosova përfiton hua 35 milionë euro nga Banka Zhvillimore për Ndryshim

Kosova përfiton hua 35 milionë euro nga Banka Zhvillimore për Ndryshim

Këshilli i Bankës Zhvillimore për Ndryshim (CEB) ka aprovuar një huadhënie prej 35 milionë euro për të mbështetur përpjekjet e autoriteteve për të ofruar kujdes shëndetësor për të prekurit nga Covid-19.

CEB gjithashtu ka aprovuar një grant prej 1 milion euro nga Llogaria e Dividentëve Sociale si një subvencion i normës së interesit për kredinë.

Për shkak të pandemisë ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind gjatë këtij viti, derisa shpenzimet për ndihmën e kujdesit shëndetësor dhe masat ekonomike dhe financiare si pasojë e pandemisë vlerësohen në 280 milionë euro.

Huadhënia nga CEB do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor emergjent dhe do të mundësojë krijimin e njësive të specializuara në spitalet e zgjedhura dhe blerjen e pajisjeve të trajtimit dhe diagnostikimit, siç janë sistemet e shpërndarjes së oksigjenit, pajisjet me ultratinguj dhe tomografi, si dhe furnizime mbrojtëse dhe mjekësore, komplete testimi dhe reagjentë diagnostikues, transmeton KOHA. Kjo hua gjithashtu pritet të sigurojë stimuj për vështirësitë që kanë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata të farmacive, trajnim të stafit mjekësor dhe mobilizim të personit shtesë të kujdesit shëndetësor.

Nga ky financim nga CEB-i do të përfitojnë 1.9 milionë njerëz që aktualisht jetojnë në Kosovë, në veçanti ata më të prekurit, siç janë të moshuarit, personat me kushte kronike dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Guvernatori i CEB-it, Rolf Wenzel, ka thënë se në përputhje me mandatin e saj ekskluzivisht shoqëror, Banka ka kërkuar të ndihmojë anëtarët e saj për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive kësaj pandemie të paparë COVID-19, që prek shumë nga vendet anëtare.

“Kjo hua e parë për autoritetet e Kosovës siguron fonde për shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe gupet e cenueshme të popullsisë. Për më tepër, CEB siguron një grant si një subvencionim interesi i cili do të përmirësojë më tej kushtet financiare të huasë. Huaja vihet në dispozicion me procedurë të shpejtë dhe shoqërohet me masa të jashtëzakonshme të COVID-19”, ka thënë ai.