Mes të infektuarve në spitalin privat në Prishtinë, edhe një mjek nga Ferizaj
Në mesin e 11 rasteve me koronavirus nga spitali privat në Prishtinë, është konfirmuar edhe një mjek-kirurg nga Ferizaj.
Si pasojë, dy familjarë të tij që janë pjesë e Spitalit Rajonal në Ferizajt, tashmë janë vetizoluar.
Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj, ka thënë se janë gjurmuar kontaktet e dy punonjësve të këtij spitali, pasi familjari i tyre me punë në Prishtinë, ka rezultuar pozitiv në COVID-19.
“Spitali “Sirona” ka qenë vatër e katër punëtorëve shëndetësorë, të cilët kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19, në të njëjtën kohë në mesin e tyre është edhe një specialist nga Ferizaj. Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar i kemi gjurmuar kontaktet e ngushta të familjarëve të doktorit, ku dy prej tyre që kanë punuar në spitalin tonë janë vetizoluar”, ka thënë Zeqiri.
Sipas tij, rezultatet e testit për koronavirus janë duke i pritur shtatë familjarë të mjekut nga Ferizaj.