Fjalë Kyçe

A mund të përfitojnë të inkriminuarit nga afatet gjyqësore gjatë pandemisë

A mund të përfitojnë të inkriminuarit nga afatet gjyqësore gjatë pandemisë

Gjykata Themelore e Prishtinës numëron 113 gjyqtarë dhe është Gjykata më e madhe në territorin e Kosovës, meqenëse ka 3 departamente më shumë se Gjykatat tjera Themelore, të cilat gjykojnë në nivel vendi.

Kryetarja e kësaj gjykate, Aferdita Bytyqi në një intervistë për emisionin RAPORT të KTV-së ka folur rreth sfidave gjatë këtyre dy muajve të pandemisë.

Sipas saj, nuk ka rrezik që lëndë të rëndësishme të parashkruhen sepse kjo kohë mund të mos llogaritet si ecje e afatit për parashkrim, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Çështja e parashkrimit është çështje për t’u diskutuar. Tani s’kemi ndonjë evidencë. Por edhe kjo çështje është e rregulluar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 100, paragrafin 3, ku shkruhet se afati i parashkrimit nuk rrjedh për kohën gjatë së cilës ndjekja nuk mund të vazhdohet ose fillohet sipas ligjit”, ka thënë ajo.

Bytyqi ka thënë se sipas statistikave të gjykatës, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pasur efikasitet “145.42 për qind. Kjo do të thotë se Gjykata ka përfunduar më shumë raste, sesa që kanë ardhur të reja”.

Bytyqi ka folur edhe për dhunën në familje. Ka thënë se është plagë e vjetër e shoqërisë.

“Duhet që në respektim të ligjit, të gjitha viktimat të denoncojnë dhunën në familje. Duhet theksuar se në Prishtinë, politika ndëshkimore ka lëvizur dhe ka ashpërsim ndëshkimesh. Nëse flasim për trajtimin në gjykatë të dhunës në familje, shohim se ka rritje të numër të rasteve. Këtë e lexoj se rritje të vetëdijës së qytetarëve për ta denoncuar dhunën”, ka thënë ajo.