Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për akuzat e presidentit Hashim Thaçi ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe vartësve të tij, Haki Abazi e Xhelal Sveçla.
Presidenti Thaçi ka akuzuar që të tretë se kanë vizituar dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës tri ditë rresht, duke i ndalë kamerat aty.
Nisjen e hetimeve për akuzat e bëra në Televizionin Dukagjini, i ka konfirmuar Prokuroria e Speciale.
“Ju njoftoj se prokurori i shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka quajtur gënjeshtra dhe shpifje deklarimet e presidentit Hashim Thaçi. Pak orë pas kësaj deklarate, Kurti ka shkruar në Facebook se Qeveria nuk i nënshtrohet një presidenti, siç e ka quajtur “helaq”.
“Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin më 6 tetor. As Qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij presidenti helaq. Ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI. Në cilën anë je ti?, ka shkruar Kurti.
Pas vizitës në administratën e QKUK-së, akuzave të presidentit i është përgjigjur shkurt ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve te Brendshme, Xhelal Sveçla. Sveçla ka thënë se për akuzat e Thaçit duhet të deklarohen ekspertët, duke aluduar në ata të Klinikës së Psikiatrisë.
Përplasjet e akuzat mes dy institucioneve, Presidencë e Qeveri ka pasur ndër vite.
Duke qenë president, Hashim Thaçi ishte përplasur verbalisht edhe me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, në veçanti për dialogun dhe idenë e korrigjimit të kufijve.