Prokuroria Themelore e Ferizajt ka kërkuar paraburgim për një të dyshuar për vrasje të rëndë të kryer para 18 viteve.
18 vite më parë, saktësisht më 9 shtator të vitit 2002, një person kishte kryer vrasje të rëndë.
E tash pas 18 vitesh, Prokuroria Themelore e Ferizajt po kërkon paraburgim për personin e dyshuar i cili është ekstraduar nga Italia pasi që kishte urdhërarrest ndërkombëtarë dhe është ndaluar në pikën kufitare Hani i Elezit gjatë të dielës.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
Ndalohet një person nën dyshimin për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Vrasje e rëndë”
Ferizaj, 01 Qershor 2020- Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik, se me datë 31 Maj 2020, në ora 16:30, me urdhër të prokurorit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, një (1) person nga Hani i Elezit.
I njëjti është arrestuar me urdhërarrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga Italia në Kosovë, nën dyshimin se me datë 09 Shtator 2002, ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Ferizaj, sot, ndaj të njëjtit, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.