Zgjedhja e kësaj Qeverie e ka fuqizuar presidentin në raport me po këtë Qeveri. Makinacionet e tij me amerikanët rezultuan me votë mosbesimi kundër Qeverisë jetëshkurtër të Albin Kurtit. Presidenti tani do të kërkojë rolin kryesor në bisedimet me Beogradin, rol ky të cilin Kurti u përpoq t’ia mohonte – Thaçi me siguri nuk ka interes të marrë udhëheqjen ndaj COVID-19 apo ekonomisë.
Me shumë mundësi LDK ka premtuar se nuk do të kontestojë rolin udhëheqës të Thaçit në bisedimet me Beogradin në këmbim të udhëheqjes së Qeverisë. Amerikanët do ta mbështesin Thaçin, sepse ata e kanë lënë atë pa ndonjë mundësi zgjedhjeje dhe të gatshëm të bëjë gjithçka që nevojitet për ta shmangur aktakuzën nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë. S’ka rëndësi pse Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi i Kosovës kanë thënë që bisedimet me Beogradin duhet të jenë përgjegjësi e Qeverisë, e jo e presidentit.
Richard Grenell, emisari amerikan për bisedimet Serbi – Kosovë, pretendon se ai është i interesuar vetëm në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, e jo për ndonjë shkëmbim territorial siç pretenduam unë dhe të tjerët. Megjithatë, ky nuk është një kamuflim i besueshëm. Asnjë marrëveshje ekonomike nuk do të ketë sukses. Ai ka nevojë për shkëmbim territorial jo vetëm për hir të vetes, pasi në këtë mënyrë riafirmon parimet etnike nacionaliste të administratës Trump, por edhe për faktin se në këtë mënyrë mendon se mund të shitet si një arritje e madhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, duke zgjidhur një çështje të cilën as Clinton nuk ka mundur të zgjidhte.
Marrëveshja për aviacionin civil të cilën Grenell pretendon ta ketë negociuar, tashmë është avulluar, pa e parë askush. Fakti që, me shumë gjasë, parlamentet e Kosovës dhe Serbisë do të refuzonin miratimin e një marrëveshjeje për shkëmbim territorial dhe se çdo referendum për një çështje të tillë do të dështonte, nuk do të jetë më diçka me rëndësi pas zgjedhjeve në ShBA. Dëmi do të jetë bërë: kudo që do të vizitohen kufijtë e rinj, njerëzit do të lëvizin – disa me vetëdëshirë dhe disa jo – në anën “e duhur” për grupin e tyre etnik. Ata që nuk lëvizin do të bëhen subjekt i dëbimit.
Unë e shoh këtë Qeveri të re – duke i kërkuar falje Avdullah Hotit – si fatkeqe. Do të përpiqet të çajë rrugën para për një marrëveshje për të cilën do të pendohen kosovarët, amerikanët dhe europianët. Fituesit e vetëm do të jenë Putini dhe miqtë e tij, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Tashmë, madje presidenti Thaçi duhet t’i ketë dyshimet e tij.
(Autori është udhëheqësi i programit për menaxhimin e konflikteve në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”)