Agjencia Antikorrupsion do të sqarojë javën e ardhshme nëse emërimi i dy profesorëve të kolegjeve private si anëtarë të Këshillit Drejtues të UP’së përbën konflikt interesi. Ministri i ri i Arsimit, Ramë Likaj, po e pret vendimin e Antikorrupsionit për të vepruar më tutje. Anëtarët e organit më të lartë të UP’së thonë se janë brenda ligjit.
Javën e ardhshme do të dihet nëse dy anëtarët e emëruar në Këshillin Drejtues të UP’së janë në rregull me ligjin.Agjencia Antikorrupsion pritet të nxjerrë vendimin me të cilin do të qartësojë pozitën e Mentor Gecit dhe Fisnik Reçicës në organin më të lartë të Universitetit të Prishtinës.
Këtë e ka konfirmuar për T7 drejtori i kësaj agjencie, Shaip Havolli. Vendimin e Agjencisë është duke e pritur edhe Ministri i ri i Arsimit, Ramë Likaj. Ai ka thënë se do të veprojë bazuar në verdiktin e Antikorrupsionit.
Mentor Geci dhe Fisnik Reçica, të dy profesorë në kolegje private, ishin emëruar muajin e kaluar në krye të Këshillit Drejtues të UP’së nga ish- Ministrja Hykmete Bajrami.
Pas këtij emërimi, dy anëtarët e Këshillit Drejtues kishin kërkuar interpretim nga Agjencia Antikorrupsion dhe presin që vendimi të jetë në favor të tyre. Edhe Fisnik Reçica ka bërë një kërkesë të tillë, ndonëse i njëjti është i bindur se nuk ka ndonjë konflikt të interesit.
Emërimi i anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të UP’së ishin bërë pasi Laura Kryeziu, kishte dhënë dorëheqje dhe kishte listuar plot shkelje në universitetin më të madh publik.
Për këto emërime ka pasur edhe protesta nga disa organizata të shoqërisë civile. Sidoqoftë, edhe më herët në krye të Këshillit Drejtues të UP’së ka pasur anëtarë që kanë pasur pozita nëpër institucione të arsimit privat. Madje, edhe tash, Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Ferizajt, Samet Dalipi, është edhe profesor në një kolegj privat.