Fjalë Kyçe

Shtrihen edhe 10 pacientë me koronavirus në Klinikën Infektive, një në gjendje kritike

Shtrihen edhe 10 pacientë me koronavirus në Klinikën Infektive, një në gjendje kritike

Me shtimin e rasteve të reja me koronavirus brenda 24 orëve në Kosovë, janë shtuar edhe pacientët të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive.

Vetëm brenda një dite edhe 10 pacientë janë shtuar në këtë klinikë, duke çuar në 53 numrin e përgjithshëm të pacientëve me Covid-19, nga 43 sa ishin të hënën, ndërsa njëri nga ta është në gjendje kritike shëndetësore.

Prej tyre 33 janë në gjendje stabile, 20 janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve një rast në gjendje të rëndë është duke u trajtuar në Repartin e Mjekimit Intensiv.

Në pritje të rezultateve janë 3 pacientë, ndërsa 1 pacient, i cili rezultoi negativ në testimet e fundit për COVID-19, vazhdon trajtimin në Klinikë.

Po ashtu sot Klinika ka njoftuar se ka vdekur nga koronavirusi pacientja 74-vjeçare nga Rahoveci, e cila ishte pranuar në Infektivë më 5 qershor.

“Nga 53 pacientët e infektuar me COVID-19: 33 raste janë në gjendje stabile; 20 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve një rast në gjendje të rëndë është duke u trajtuar në Repartin e Mjekimit Intensiv të Klinikës Infektive. Në pritje të rezultateve janë 3 pacientë, ndërsa 1 pacient i cili rezultoi negativ në testimet e fundit për COVID-19 vazhdon trajtimin në klinikë. Sot lirohet nga klinika një paciente e shëruar nga infeksioni me COVID- 19”, thuhet në komunikatë.