Fjalë Kyçe

Këto janë komunat prej nga vijnë personat e prekur me Covid-19

Këto janë komunat prej nga vijnë personat e prekur me Covid-19

Sot më 18 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 457 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 83 raste.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 15 raste, komuna e Prishtinës 14 raste, komuna e Gjilanit 12 raste, komuna e Pejës 9 raste, komuna e Mitrovicës 9 raste, komuna e Dragashit 8 raste, komuna e Mamushës 7 raste, komuna e Prizrenit 6 raste dhe me nga 1 rast komunat: Fushë Kosovë, Obiliq dhe Skenderaj.

Sot më 18 qershor 2020, janë shëruar 5 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 973 raste.

Në javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.

Nga data 08 shkurt deri më 18 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 20.206 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.916 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 18 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 8.489.701 raste të COVID-19 dhe 452.430 raste të vdekjes.

Të nderuar qytetarë!

Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet kanë kaluar muajin prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.

Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.