Edhe pse janë shumë të frekuentuara nga fëmijët, parqet e lojërave shpesh janë cak i dëmtimeve nga qytetarët.
Në një gjendje të tillë ka mbetur edhe një park në lagjen “Kodra e Diellit”, i cili, sipas banorëve të kësaj pjese, dëmtohet zakonisht gjatë mbrëmjeve.
Ata thonë se për këtë kanë bërë ankesa të shumta, porse telashet me personat që po i dëmtojnë këto parqe janë duke vazhduar.
Sipas Ndërmarrjes Publike Banesore, riparimet dhe kontrollimet teknike të parqeve e të këndeve të lojërave bëhen çdo muaj, raporton KOHA.
Sipas Dritëro Çitakut nga ky institucion, për rregullimin e këtij këndi ata nuk kanë marrëveshje me Drejtorinë e parqeve në Prishtinë, porse në probleme të ngjashme hasin vazhdimisht.
Ndërkohë nga Drejtoria e Parqeve të kryeqytetit thonë se janë në pritje të nënshkrimit të një kontrate të re me NPB-në për rregullimin e kësaj hapësire.
Drejtoresha e Drejtorisë së Parqeve, Fatime Hajdari shtoi ky park nuk ka qenë i përfshirë në listën e parë të prioriteteve derisa rregullimi i tij do të bëhet bashkë edhe me disa parqe të tjera që kjo drejtori i ka evidentuar.