Fillim të mirë e ka cilësuar Carl Bildt takimin virtual të Brukselit të dielën, midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndonëse ka thënë të mos priten rezultate të shpejta.
Përmes një statusi në Twitter, Ish-kryeministri suedez, njëherësh dhe ish-ndërmjetësues i Bashkimit Evropian për ish-Jugosllavinë ka thënë se fjala është për një proces që përfshin zgjedhje të vështira.
“Fillim i mirë i dialogut të BE-së midis Kosovës dhe Serbisë, teksa tashmë janë bërë plane për vazhdim. Por, s’do të prisja rezultate të shpejta. Është proces i gjatë që përfshin zgjidhje të vështira”, ka thënë ai.
Takimi Hoti-Vuçiq, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka rifilluar në formë të video-konferencës, të dielën. Ka qenë ky takimi i parë i nivelit të lartë që nga viti 2018, teksa do të pasohet me një takim me prani fizike, në Bruksel, më 16 korrik.