Fjalë Kyçe

Thaçi: I mbetet prokurorit dhe gjykatësit të vlerësojnë dëshminë time

Thaçi: I mbetet prokurorit dhe gjykatësit të vlerësojnë dëshminë time

Pas katër ditësh, ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Edhe të enjten, ai u intervistua rreth shtatë orë.

Pas daljes nga Prokuroria, Thaçi deklaroi se ka dhënë dëshminë e tij dhe se pret që prokurori dhe gjykatësi të vendosin në mënyrë profesionale për dëshminë e tij.

“ Më vjen shumë mirë që për katër ditë me radhë kisha mundësinë që të jap sqarime për të gjitha çështjet që ndërlidhen me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës dhe përpjekjet e mia për paqe, stabilitet, për zhvillim dhe progres”.

“Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të sqaroj dhe të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës, këtë periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Gjatë tërë kësaj periudhë kam qenë i shoqëruar nga ambasadori Prosper, në cilësinë e avokatit. Përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, unë konsideroj se kemi pasur seanca produktive”.

“Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit, që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se ata bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë se nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduar”, deklaroi Thaçi pas mbarimit të intervistimit.

Thaçi është ftuar në Hagë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.