Fjalë Kyçe

Bojoviq: Vuçiqi donte dialog nën ombrellën e Uashingtonit e jo të Brukselit

Bojoviq: Vuçiqi donte dialog nën ombrellën e Uashingtonit e jo të Brukselit

Analisti nga Brukseli dhe eksperti i së drejtës evropiane, Gjorgje Bojoviq, thekson që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuiçiq, po i kthehet tavolinës së bisedimeve me Kosovën pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat partia e tij, Partia Progresiste Serbe, e vetme ka marrë dy të tretat shumicë të parlamentit serb.

“Kjo shumicë prej dy të tretave, ia mundëson atij madje edhe ndryshimin e Kushtetutës në ato pjesë, për të cilat nuk nevojitet referendumi, ndërkaq për pjesët që kanë të bëjnë me Kosovën – preambula dhe neni 182, është i nevojshëm referendumi”, sqaron Bojoviq.

Ai shton që çfarëdo marrëveshje që arrijnë Serbia dhe Kosova, do të ishte i zbatueshëm në Beograd, “në rast se Vuçiq vlerëson që mund ta mbijetojë politikisht”.

“Kjo për shkak se Partia progresiste Serbe është bërë makineri e tillë, sa që me fushatën e saj dhe me resurset e saj mund të promovojnë cilëndo marrëveshje dhe ‘ta shtyjnë’ atë, ndërkaq ata vet e kanë shumicën prej dy të tretave për ta ratifikuar. Esenca është vetëm nëse Vuçiq është i gatshëm që të arrijë marrëveshjen finale me Kosovën. Tash për tash, kjo nuk duket ashtu. Mendimi i shumicës është që Vuçiqi edhe më tej dëshiron të prolongojë këtë, sepse ai e di që në momentin që nënshkruhet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Prishtinën, temat tjera do të vinin në rend të ditës”, thekson Bojoviq.

Sipas tij, për dallim nga pala e Kosovës, ku siç thotë ai, ekziston edhe negociatori kryesor dhe platforma për të cilën ideohet në kuvend, në Serbi kjo nuk është kështu. Ai thekson që Serbia ka Vuçiqin, si negociator de facto, si dikush që ka të gjithë pushtetin e koncentruar absolut dhe i cili në një mënyrë jo transparente i udhëheqë bisedimet.

Bojoviq thotë se është një ndryshim i rëndësishëm fakti që Bashkimi Evropian i ka rikthyer bisedimet nën ombrellën e saj, pas shtyrjes së takimit të liderëve të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm amerikan, Richard Grenell.

“Ky është tereni ku Vuçiq dëshiron më pak të luaj. Ky është tereni në të cilin Vuçiq nuk e ka atë fuqinë të cilën potencialisht do ta kishte në SHBA. Nuk duhet harruar që Serbia dëshironte bisedime nën ombrellën amerikane, duke menduar që ekziston shansi për zgjidhje, e cila, sipas mendimit të tij, do të ishte më e favorshme për Serbinë”, vlerëson Bojoviq.

Por, duke shpjeguar idenë se pse fuqia e Vuçiqit është më e vogël në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja se sa në ato që do të zhvilloheshin nën ombrellën e SHBA-së, Bojoviq thotë që për këtë janë kyçe dy çështje.

“Mendoj që Vuçiq edhe sot nuk ka hequr dorë nga ideja e tij për caktimin e kufijve, ndarjen e Kosovës ose ndonjë modalitet sipas të cilit do të lëvizej vija mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo ide kishte mbështetjen e heshtur ose të zëshme në Amerikë, për dallim nga Evropa, ku Gjermania kishte thënë ‘jo’ lidhur me këtë. Pikërisht sot (më 17 korrik) ka ardhur letra e opozitës serbe në Parlamentin Evropian. Këtë letër e kanë mbështetur tre nga katër grupimet më të mëdha të Parlamentit Evropian. Përveç nga Partia Popullore Evropiane, Vuçiqi nuk e ka mbështetjen në Parlamentin Evropian, gjë që e ulë mundësinë e tij për bisedime të lehta në Bruksel”, thotë Bojoviq.

Gjithashtu, sipas tij, problem mbetet edhe fakti që nuk dihet se kush do ta përbëjë ekipin negociator të palës së Serbisë, duke thënë se edhe serbët e Kosovës janë përjashtuar nga pjesëmarrja në dialog, nga të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi.

Madje, shton ai, edhe Kuvendi i Serbisë nuk është i përfshirë në bisedime. Siç thekson Bojoviq, deri më tash, për shtatë vite të bisedimeve në Bruksel, ka pasur vetëm një raport për Kosovën në Parlamentin Serbisë, në të cilin flitej se si shteti i Serbisë ka investuar në shëndetësi, arsim dhe nuk ka pasqyruar esencën e temave që janë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Ndryshe, dy tema që janë diskutuar gjatë rinisjes së dialogut në Bruksel kanë qenë çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik. Nga protagonistët, ky takim është cilësuar si ‘shumë i vështirë’ dhe është paralajmëruar se grupet teknike do të takohen prapë të mërkurën në Bruksel lidhur me këto çështje. Takimi i radhës i nivelit të lartë është paralajmëruar për në shtator.