Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për radion Evropa e lirë, thekson që shkuarja drejt përfundimit të dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, nuk do të mund të bëhet vetëm nga partitë të cilat janë në pushtet.
Sipas saj, në skenën politike në Kosovë do të ndikojnë edhe zhvillimet që do të jenë në procesin e aktakuzës, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka paraqitur ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Siç thotë ajo, në rast se aktakuza konfirmohet nga Dhomat e Specializuara, atëherë me siguri që do të ketë zhvillime të brendshme politike të cilat do të ndikojnë në rikonfigurimin institucional.
“Unë nuk e besoj që – në bazë të zhvillimeve politike që priten në Kosovë – që kryeministri Hoti do të jetë i vetëm në këtë proces, në qeverinë aktuale, në kuptimin që pritet që të ketë zhvillime të tjera politike, qoftë të një rikonfigurimi të qeverisë apo të rikonfigurimit të tërë institucional, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e dialogut. Edhe nëse nuk ndodhë kjo, e rëndësishme është që qeveria aktuale dhe secila qeveri, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë, duhet të ketë mbështetje të gjerë politike për ta shtyrë këtë proces përpara”, thotë Krasniqi.
Ajo shton se presidenti i vendit, i cili deri më tash ka qenë në rolin udhëheqës të palës së Kosovë në procesin e dialogut, tashmë ka vlerësuar se nuk është e dobishme të përfshihet në procesin e dialogut përderisa është duke u marrë me Dhomat e Specializuara.
Por, duke iu referuar një shkrimi në Facebook të këshilltarit të presidentit të Kosovës, Adil Behramajt, i cili kishte shkruar që “Avdullah Hoti nuk mund ta përfaqësojë as LDK-në, se lëre më Kosovën”, Krasniqi thotë që porositë që vijnë nga këshilltarët e presidentit, janë kontradiktore.
“Ne kemi parë nga ana e Zyrës së Presidentit, në mënyrë joformale, që këshilltarët e tij kanë deklaruar që Hoti nuk e ka legjitimitetin, pasi që ai nuk është konsultuar as me presidentin. Pra, kjo dëshmon që duhet të ketë një mbështetje politike për këtë proces, e cila shkon përtej taboreve të institucioneve dhe përtej taboreve të partive politike. Përndryshe, është e vështirë që të shkohet deri te arritja e një marrëveshje në emër të Kosovës”, shton Krasniqi.
Kryeministri Hoti, më 10 qershor ka paraqitur platformën për dialogun, tre principet e së cilës thonë që nuk mund të bisedohet për territorin e Republikës së Kosovës dhe as për organizimin kushtetues të shtetit të Kosovës, si dhe që marrëveshjet që do të arrihen duhet të jenë në frymën e Kushtetutës së Kosovës.