Në 24 orët e fundit, në Kosovë kanë vdekur pesë persona që kanë qenë të infektuar me koronavirus, ndërkaq janë regjistruar edhe 118 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus.
Këto të dhëna dalin nga testimi i 489 mostrave për koronavirus.
Përmes një njoftimi për media, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftojnë se numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në 135. Aty thuhet se rastet me fatalitet kanë pasur sëmundje shoqëruese, por nuk jepen më shumë detaje.
Gjatë 24 orëve të fundit, nga koronavirusi janë shëruar 157 pacientë, duke çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 2,968.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm me COVID-19 në Kosovë, ka arriturnë 5,735, ndërkaq raste aktive vazhdojnë të jenë 2,632.
Ndërkaq, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njofton se 300 persona me COVID-19 persona po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare dhe në spitalet rajonale.
Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 48 raste, komuna Ferizaj 11 raste, komuna Fushë Kosovë 9 raste, komuna Drenas 7 raste, komuna Pejë 7 raste, komuna Mitrovicë 6 raste, komuna Prizren 4 raste, komuna Gjilan 4 raste, komuna Gjakovë 3 raste, komuna Podujevë 3 raste, komuna Viti 3 raste, me nga 2 raste komunat: Kaçanik, Skenderaj dhe Vushtrri dhe me nga 1 rast komunat: Han i Elezit, Kamenicë, Klinë, Kllokot, Lipjan, Obiliq dhe Suharekë.
Në klinikat e QKUK-së, po trajtohen 163 pacientë me COVID-19, ndërkaq në spitalet rajonale janë duke marrë trajtimin 137 pacientë. Numri më i madh i pacientëve me COVID-19, që po trajtohen në spitalet rajonale është në atë të qytetit të Pejës, ku të shtrirë janë gjithsej 61 pacientë.