Fjalë Kyçe

Punëtorët e Telekomit nuk do t’i marrin pagat e korrikut, kjo është masa që do të marrë Qeveria

Punëtorët e Telekomit nuk do t’i marrin pagat e korrikut, kjo është masa që do të marrë Qeveria

Rrogat e korrikut nuk do t’i marrin mbi 2 mijë punëtorë të Telekomit. Bllokimi i llogarive e urdhri për përmbarim e ka çuar drejt falimentimit atë që dikur ishte kompania më profitabile për shtetin. Qeveria nuk ka bërë ende zgjidhje, derisa tashmë ky institucion ka mbetur edhe pa bord. Për pasojat që do t’i sjellë Kosovës situata me Telekomin kanë folur për Gazetën Express kreu i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, dhe kryesindikalisti Lamih Balaj.

Takimi që kryeministri Avdullah Hoti e ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, e mbajtën ditë më parë në Qeveri larg syrit të mediave me zyrtarë të Telekomit e me shefin e Dardafonit, Blerim Devolli, nuk solli ndonjë zgjidhje.

Detaje për opinionin nuk u dhanë as pas takimit, megjithatë Qeveria e fajësoi për dështimin e gjetjes së një zgjidhjeje Bordin e Telekomit që ishte emëruar nga ish-kryeministri Albin Kurti.

“Bordi i Telekomit u deklarua se nuk dëshiron të futet në asnjë marrëveshje për shlyerjen e borxhit, edhe nëse Qeveria e Kosovës i jep mbështetje”, tha ministri Kuçi, duke deklaruar se propozimi i ekzekutivit ishte që të shtyhej shlyerja e borxhit deri me një afat të caktuar.

Pak orë pasi takimi përfundoi pa rezultate, u publikua edhe afati 60-minutësh që përmbaruesi që përfaqëson Dardafonin ia dha bankës Raiffeisen që nga llogaria e Telekomit të Kosovës të bëjë ekzekutimin e borxhit kryesor, kamatës ligjore, shpenzimet e procedurës përmbarimore, shpenzimet kontestimore dhe zbatimin e efikasitetit të Zyrës Përmbarimore.

Pasi përmbaruesi ia zbrazi llogaritë kompanisë publike, nga ky institucion dha dorëheqje edhe Bordi që ishte emëruar nga ish-kryeministri Albin Kurti. Në letrën e tyre nisur për kryeministrin Avdullah Hoti ata kanë paraqitur edhe gjendjen në të cilën e kanë gjetur ndërmarrjen.

Gazeta Express ka dy ditë që ka tentuar të marrë një përgjigje nga ish-anëtarët e këtij bordi, megjithatë ata nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Sindikata, ndërkaq, bën me dije se në llogari të Telekomit në momentin e përmbarimit kishin qenë rreth 3.5 milionë euro.

Kreu i Sindikatës së PTK-së, Lamih Balaj, ka thënë për Gazetën Express se në mesin e këtyre të hollave ishin edhe paratë që kishte ndarë Qeveria për rimëkëmbje për shkak të pandemisë.

“Përmbaruesi i ka dhënë urdhëresë derisa të arrihet shuma që i duhet në arbitrazh që të mos lejohen llogaritë. Janë konfiskuar rreth 3.5 milionë, në mesin e këtyre mjeteve janë edhe këto që i ka dhuruar Qeveria për rimëkëmbje për shkak të pandemisë. Jo vetëm paratë e Telekomit por edhe të Qeverisë për rimëkëmbje janë marrë nga llogaria”, ka thënë Balaj.

Në tërësi borxhi i Telekomit ndaj Dardafonit kap shumën prej 26.789.532,62 euro. 24.684.003,15 euro në emër të borxhit kryesor, 2.150,00 euro në emër të shpenzimeve kontestimore, 871,40 euro në emër të shpenzimeve të procedurës përmbarimore. 374.001,14 euro në emër të efikasitetit për zbatim të përmbarimit dhe shumën prej 1.728.506,93 euro në emër të kamatës ligjore.

Duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë nga Qeveria, Sindikata e Telekomit ka dalë në protestë para ekzekutivit. Me pankartat “Më mirë të na vrasë koronavirusi sesa Blerim Devolli”, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje thanë se familjet do t’u mbesin pa bukë, nëse nuk gjendet zgjidhje.

Kryeministri Hoti pas kësaj proteste ka pritur Sindikatën duke i kërkuar që të vazhdojë punën me shërbime, e duke i premtuar zgjidhje të shpejtë.

Derisa nuk është prezantuar ndonjë plan konkret që do të mundë të parandalonte falimentimin e kompanisë publike, Oda Ekonomike ka propozuar disa hapa për Qeverinë.

Kreu i OEK-ut, Berat Rukiqi, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se asnjë zgjidhje për Telekomin nuk do të jetë e lehtë dhe pa dhimbje.

“Asnjë zgjidhje për Telekomin nuk është e lehtë dhe pa dhimbje. Edhe asnjë zgjidhje nuk duhet të kërkohet me akuza dhe kundërakuza politike”, ka thënë Rukiqi, duke propozuar edhe 7 hapa për institucionet.

“Telekomi të deklarojë insolvencën financiare dhe të kërkojë moratorium për pretendimet e debitorëve, në një afat 12-mujor; Për një afat 12-mujor të programojë kryerjen e obligimeve, për palët jashtë kompanisë; Me propozim të Bordit dhe me miratim nga aksionari të miratohet një skemë e pensionimit të parakohshëm; Të ulen shpenzimet operative në vlerë deri 30%, me zvogëlim të pagave të stafit dhe shkëputje të kontratave të të gjithë stafit të punësuar pa konkurs dhe pa procedura të rregullta; Qeveria t’i japë garanci sovrane kompanisë, për të lehtësuar aplikimin për kredi investive për pajisjet e domosdoshme që mundësojnë ruajtjen e operacioneve bazë; Të përgatitet dosja e tenderit për privatizim dhe të bëhen përpjekje për të gjetur blerës brenda 24 muajve të ardhshëm; Përmes një fondi të veçantë të Aksionarit të financohet mirëmbajtja e rrjetit dhe pajisjeve”, ka thënë Rukiqi për gazetën.

Telekomi i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje me Dardafonin e Blerim Devollit në vitin 2009. Në kontratë dy palët ishin darkoduar që Z-Mobile të përdorte infrastrukturën e Telekomit, për të nisur biznesin e ri.

Sipas marrëveshjes, Dardafoni merrte 78 përqind të fitimeve, derisa, Telekomi 22 për qind. Kontrata kishte përfunduar në Arbitrazh, kur ajo, sipas Devollëve, nuk u respektua nga kompania publike. Përplasja kishte nisur nën akuzat e mosndarjes së numrave 3G dhe 4G për Z -Mobile, ashtu siç ishte paraparë në kontratë.

Gjykata e Arbitrazhit në vitin 2016 kishte vendosur në favor të Devollëve. Ajo obligonte Telekomin që të paguante borxhin prej 32 milionë eurosh.

Kontrata në mes palëve nuk u vazhdua në korrik të vitit të kaluar, gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt. Atëherë palët ishin munduar që të gjenin një zgjidhje për të shlyer borxhin ku përmes një marrëveshjeje një shumë e caktuar e parave të ekzekutohej në llogari të Dardafonit çdo muaj. Çështja kishte mbetur në gjykatë dhe pa zgjidhje deri në vendimin përfundimtar ku urdhërohej përmbarimi.