Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim për banorin nga Kamenica, që dyshohet se e mbyti bashkëshorten me shufër metalike.
“Ekziston dyshimi i bazuar se, më 25 Korrik 2020, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i dyshuari N.M., për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, i dyshuari me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e godet të ndjerën një herë në kokë, e cila rrëzohet në dysheme, mirëpo i njëjti prapë ka vazhduar ta godet me shufër disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse”, shkruhet në kërkesën e Prokurorisë.
Vrasjen për KOHËN e kishte konfirmuar të shtunën zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi. Ai kishte thënë se i dyshuari është arrestuar dhe prokurori po merret me rastin.
“Policia është njoftuar për një vrasje në fshatin Berivojcë të Kamenicës. Dyshohet se një mashkull (rreth 42 vjeçar), ka vrarë gruan e tij (rreth 34 vjeçare). Njësitet policore i janë përgjigjur vend-ngjarjes, është arrestuar i dyshuari, është njoftuar prokurori dhe po vazhdon kompletimi i rastit nga hetuesit policorë”, kishte thënë ai.
I dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh, në pritje të seancës për caktimin e masës së paraburgimit, para gjyqtarit të procedurës paraprake.