Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dy raste të vdekjeve.
Një paciente 78-vjeçare e konfirmuar pozitiv me Covid -19 ka vdekur, si dhe një pacient i moshës 71-vjeçar i dyshuar por ende pa kryer testin po ashtu ka vdekur, raporton lajmi.net.
Aktualisht në këtë spital po trajtohen 77 pacientë me Covid-19. 32 pacientë janë në oksigjeno terapi, 7 pacientë janë në gjendje më të rëndë, ndërsa pacientet e tjerë janë në gjendje më stabile.
Kujtojmë, se para disa minutave u konfirmua edhe një vdekje në Suharekë.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë në Suharekë, Besa Kuqi, e cila ka thënë se S.K. i testuar pozitiv më 24 korrik dhe i hospitalizuar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
“Me keqardhje ju njoftoj se edhe një qytetar humb betejën me #COVID19 nga qyteti i Therandës, S.K, i testuar pozitiv më 24 korrik dhe i hospitalizuar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Ngushëllimet më të sinqerta familjes. Edhe 32 qytetarë të komunës tonë po e vazhdojnë betejën me këtë virus të fshehtë për jetë normale. Ju lutem, rriteni kujdesin, mbajeni distancën dhe zbatoni masat mbrojtëse kundër #COVID19!”, ka thënë ajo.
E gjatë 24 orëve janë shëruar 121 pacientë, duke çuar numrin e përgjithshëm në 3,874 raste, ndërsa numri total i rasteve pozitive është 7,137 raste.
Po ashtu, në 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë tetë pacientë të cilët kanë pasur dhe sëmundje tjera bashkëshoqëruese, ndërsa numri i përgjithshëm 177 raste.