Kosova mbrëmë ka marrë një vendim që aplikon reciprocitetin ndaj shteteve që i kërkojnë qytetarëve të Kosovë një test negativ për COVID-19.
Megjithëse, në vendim thuhet se “Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit” pati përjashtime, njofton Klan Kosova.
Më vonë u sqarua se qytetarët e Shqipërisë nuk kanë nevojë të tregojnë test negativ kur duan të hyjnë në Kosovë.
Ngatërresë pati sot në mëngjes edhe me shqiptarët e Luginës, por edhe kjo u sqarua.
Qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk u kërkohet që të kenë test negativ për të hyrë në Kosovë, por për qytetarët e tjerë të Serbisë kjo do të aplikohet.
Këtë sqarim e bëri, Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Masat e reja të Qeverisë së Kosovës: testimi për Covid-19, nuk aplikohet për qytetarët e Preshevës e Bujanocit e Medvegjës. Deri tek problemet e mëngjesit të sotshëm në pikat kufitare ka ardhur si pasojë e keqinterpretimit të Vendimit të Qeverisë së Kosovës. Kjo nënkupton që, qytetarët e Luginës mund të kalojnë kufirin me Republikën e Kosovës pa pasur nevojë për testim apo vetizolim.Por sidoqoftë, ju lusim të respektoni rregullat e ekspertëve shëndetësor: të mbani distancën sociale, vendosjen e maskave dhe mirëmbajtjen e higjienës personale”.