Mikrobiologu Lul Raka: Kapacitetet shëndetësore të Kosovës janë rrezikuar seriozisht
Kosova po përballet muajve të fundit me periudhën më të rëndë shëndetësore që nga shfaqja e pandemisë.
Të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi se në 24 orët e fundit 13 veta humbën jetën duke e çuar në 249 numrin e viktimave nga koronavirusi.
Brenda kësaj periudhe janë konfirmuar edhe 245 raste të reja të të prekurve nga nga 468 të testuar.
Numri i lartë i të infektuarve me COVID-19 dhe i rasteve te vdekjeve nga pasojat e tij kanë ngritur shqetësimin e ekspertëve shëndetësorë.
Mikrobiologu Lul Raka që njëherësh udhëheq edhe bordin këshillëdhënës për Covid-19 thotë se me rastet e rritjes aktuale kapacitetet shëndetësore të Kosovës janë rrezikuar seriozisht.
“Rreziku kryesor është tejkalimi apo mbingarkesa e kapaciteteve edhe menaxhueshmëria e numrave aktual nga institucionet shëndetësore të Kosovës që merren drejtpërdrejt me menaxhimin e pacientëve me COVID qoftë në QKUK qoftë në spitale të përgjithshme në Kosovë”, tha zoti Raka.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike çdo ditë kryen rreth 400 deri në 500 teste për Covid, prej të cilave një numër shumë i lartë dalin pozitiv me virus.
“Do të vërtetohej edhe në laborator që kemi përhapje masive edhe kjo me vet faktin që ndoshta testime më shumë nuk kemi bërë mirëpo numri i hospitalizimeve dhe numri i vdekjeve janë tregues tjetër rezervë që tregojnë se ky është reflektim i përhapjes masive në komunitet. Ngritja dhe mbingarkesa e kapaciteteve është treguesi më i mirë edhe numri i madh i vdekjeve që po ndodh çdo ditë janë tregues të përhapjes masive në komunitet”, tha ai.
Kosova ka regjistruar rastet e para me COVID-19 në mesin e muajit mars dhe që nga ajo kohë janë prekur 8 mijë e 799 veta, gjysma prej të cilëve tashmë janë shëruar ndërsa 3 mijë e 687 mbeten raste aktive.
Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes pasi që sipas tyre spitalet e Kosovës po përballen me mbingarkim të kapaciteteve pasi që aktualisht Kosova ka rreth 700 shtretër për të trajtuar të sëmurët me COVID-19.
Zoti Raka flet për këshillta që bordi i tij u ka dhënë institucioneve të Kosovës për të përballur situatën aktuale.
“Rekomandimi i parë ka qenë që urgjentisht të miratohet ligji anti COVID sepse e kemi parë që një prej faktorëve shumë të rëndësishëm të rritjes së numrave përveç moszbatimit të masave të thjeshta nga qytetarët e Kosovës është po ashtu mbikëqyrja ose kontrolla strikte e institucioneve shtetërore për ta adresuar këtë problem”, tha zoti Raka.