Një person ka humbur jetën derisa po punonte me traktor në fshatin Bajgorë të Mitrovicës. Gjergj Ramaj, nga Komuna e Vitisë, dyshohet se është rrotulluar gjatë punës në një vendpunishte.
Familjarët e Ramajt kanë shkruar në Facebook, duke thënë se kjo është një humbje e madhe për familjen, farefisin dhe kompaninë ku Ramaj punonte.
“Sot në mënyrë tragjike në një aksident në punë ka ndërruar jetë vëllai ynë Gjergj Ramaj. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë, farefisin dhe kompaninë. Ishte punëtor i madh. Pushoft në paqe”.
Këtë rast e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Tash për tash raportohet se një person e ka humbur jetën në një vendpunishte në Bajgorë. Policia është në vendin e ngjarjes. Dyshohet që viktima, tash i ndjeri, ka qenë duke punuar me traktor dhe është rrotulluar”, ka thënë Zahiti.