Njohësit e proceseve politike në Prishtinë dhe Beograd nuk besojnë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në takimin e 2 shtatorit që pritet të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Ata thonë se njoftimi i papritur i ambasadorit Richard Grenell për këtë takim, vjen për faktin se administrata e presidentit Donald Trump është e interesuar që të përfundojnë çështje të politikës se jashtme para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Porse, sipas analistëve politikë, takimi i 2 shtatorit mund të jetë edhe si shtysë për procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mundësitë që palët të dalin me ndonjë marrëveshje nga takimi janë shumë të vogla, thotë analisti politik, Agon Maliqi.
Sipas tij, nga ky takim, në rastin më të mirë, palët mund të dalin vetëm më një deklaratë të përbashkët që shpreh gatishmëri për arritje të marrëveshjes finale.
“Nuk do të ishte përjashtuar, edhe pse është më pak e mundshme, diçka në natyrën e një deklarate të përbashkët e synimeve të për arritjen e një marrëveshjeje më gjithëpërfshirëse siç ishte ajo mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara ku palët thjesht zotohen për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thotë Maliqi.
Por, njohësi i çështjeve të Ballkanit, Dushan Janjiq, thotë se Shtetet e Bashkuara janë në një situatë të komplikuar politike për shkak se është vit zgjedhor, dhe për këtë arsye Uashingtoni zyrtar nuk ka as durim dhe as motiv për të zvarritur përparimin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Kjo është pika që, nëse tejkalohet, atëherë do të ketë një fotografi me (Presidentin e SHBA-së Donald) Trumpin. Pastaj ai do të jetë në gjendje të postojë në Tëitter se është bërë një hap përpara nga koha e luftës deri në kohën e paqes. Kjo do të jetë e mjaftueshme për të, sepse takimet mes Hotit dhe Vuçiqit nuk janë për të ndonjë argument për fushatën parazgjedhore. Por, me këtë ai thotë se e përfundoi iniciativën që e kishte filluar me letrën e tij ”, konsideron Janjiq.
Kur bëhet fjalë për rolin e Bashkimit Evropian në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës, Janjiq beson se Brukseli është “jashtëzakonisht i ngadaltë”, megjithëse ai beson në rolin e Gjermanisë në kuadër të këtij procesi.
Për çfarë do të flasin palët?
Agjenda e takimit të paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington mbetet pothuajse e pandryshuar nga ajo që ishte paraparë në takimin e anuluar të muajit të kaluar, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, Dushan Janjiq.
Sipas tij, në këtë dialog duhet gjetur një ekuilibër të duhur, për faktin se disa nga ato tema përfaqësuesit e të dyja vendeve po i diskutojnë edhe në kuadër të dialogut në Bruksel.