Fjalë Kyçe

Pse ndodh mohimi i realitetit të koronavirusit nga ana e qytetarëve?

Pse ndodh mohimi i realitetit të koronavirusit nga ana e qytetarëve?

Fenomeni i mohimit te realitetit të COVID19 del i pakuptueshëm dhe i çuditshëm, pasiqë ky virus për afro gjashtë muaj ka prekur më se 20 milon persona dhe ua ka marr jetën më se 700.000 personave në shumë vende të botës. Njëherazi, vlen të përkujtohet se nëpërmjet mediave, ekspertë të shquar të mjekësisë, infektologë e epidemiologë, që nga muaji mars kanë shpjeguar veprimet shkatërruese të këtij virusi për organizmin e njeriut, mënyrën e përhapjes dhe pasojat e shumta madje edhe për persona që shërohen.

Mohimi i realitetit të COVID-it, i pranishëm jo vetëm te ne në Kosovë, por edhe në vende të tjera shpjegohet ndonjëherë me shkallën e ulët të formimit dhe shkollimit të personave që shfaqin këtë qëndrim. Mirëpo, vështirë mund të pranohet ky shpjegim pasiqë nuk ka nevojë për ndonjë shkollim të veçant për t’i kuptuar rreziqet që i prodhon ky virus, aq me tepër pse vazhdimisht po rritet numri i të prekurëve dhe i të vdekurëve nga kjo sëmundje. Vështirë të besohet se ata janë të painformuarë për këtë sëmundje, pasiqë mediat gjatë tërë ditës njoftojnë për përkeqësimin e situatës nën presionin e shtimit tët ë prekurëve dhe të vdekurëve.
Mohimi si ikje nga frika dhe ankthi

Arsyen e këtij qëndrimi mohues ndaj realitetit të COVIDIT, psikologët dhe psikiatrit nga vende të ndryshme e kërkojn më shumë te disa tipare të këtij mohimi, i cili është shfaqur edhe më heret përballë rreziqeve tjera. Themeluesi i psikanalizës, Sigmund Freudi (Frojdi, 1856-1939), e shpjegon mohimin (Verleugnung) e një realiteti si mekanizëm të pavetëdijshëm të mbrojtjes dhe të ruajtjes së vetes që mëton të mos e pranoj një pjesë të realitetit, i cili i duket kërcënues dhe traumatizues. Ky mënjanim i pavetëdijshëm shfaqet pas ballafaqimit me situata të rënda që përjeton një individ, duke synuar t’i mënjanoj këto nga vetëdija dhe përvoja e vet. Kësisoj, mohimi i realitetit të këtij rreziku dëshiron të na ofrojë një ndjenjë të sigurisë përballë realitetit, të na largoj brengosjen, shqetësimet dhe telashet që dalin nga pranimi i rreziqeve të këtij realiteti. Kësodore, në vend se t’i marrin seriozisht këshillat e përditshme të mjekëve – të mbajnë maskën, të mbajn distancën sociale me të tjerët dhe disa masa higjienike- ata duke i shpërfillur këto masa, me veprimet e tyre, hiqen në njerën anë si të guximshëm e në anën tjetër të afërt me njerëzit tjerë. Psikologët e psikiatritë shpjegojn se në fakt personat e tillë orvaten t’i ikin frikës dhe ankthit që shkakton pranimi i realitetit të rrezikshëm të COVID-IT. Sjelljet e afërta me njerëzit, ndërkaq, nuk janë fare shprehje as e mirësjelljes e as afektivitetit ndaj familiarëve, kolegëve e miqëve ngase pikërisht ato gjeste e ndihmojnë përhapjen e virusit, e kësisoj edhe të sëmundjes dhe vdekjeve. Kësodore janë veprimet racionale ato që kanë parasyshë parapengimin e përhapjes së kësaj sëmundje, që shprehin mirësjelljen dhe afektivitetin e mirêfilltë ndaj të tjerëve.

Psikologia e një Klinike psikiatrike në Paris Flora Gapin, arsyen e disa formave të mohimit të realitetit të Covidit-19, e shpjegon duke cekur se me shtimin e të prekurëve dhe me marrjen e masave detyruse për pengimin e sëmundjes, informacionet për përhapjen e sëmundjes dhe shtimin e vdekjeve e sforcojnë « klimën anksiogjene për njeriun ». Nuk ka asgjë më tmerruese për qenien njerëzore, shton ajo, se ndjenja se ai nuk arrinë ta vë nën kontroll këtë situatë. E kjo ndikon në shfaqjen e reaksioneve emocionale : ajo zë nê gojê edhe shembujt e disa reagimevee tê dhunshme tê disa personave që plaçkisin dyqanet me ushqim. Pastaj ajo pêrmend shembujt e mohimti tê koronavirusit si shprehje e një « strategjie e mbrotjes e cila vendoset në mënyrë të pavetëdijshme ose të vetëdijshme » dhe lidhet me mohimin e një realiteti të padurueshëm për psikën e subjektit, pêr sigurinê dhe rehatinê e tij. Më së shpeshti, saktêson ajo, kêto situata janê tê mbrujtura me emocione të forta të cilat vetëdija nuk arrinë t’i interpretojë, kurse mohimi bën të mundur refuzimin e perceptimit të realitet i cili nxit ankth.

Mirëpo, mohimi publik i realitetit të COVIDIT bëhet edhe nga persona që e aty e gjejn një levërdi për përfitim ekonomik. Kësisoj, kur disa këngëtarë te ne e shpallin COVID-in si joekzistues dhe kërkojnë mbajtjen e dasmave, ata shfaqin preokupimin e tyre që t’i heqin barierat te klientët e tyre potencialë ndaj dasmës si diçka e rrezikshme nê situatên aktuale. Dihet se atmosfera e dasmës, si atmosferë e fuzionit emocional të miqëve dhe familiarëve e mbështetur nga muzika e vallëzimi, nuk është fare e përshtatshme për respektimin e masave që pengojnë përhapjen e sëmundjes dhe rritjen e numrit të të vdekurëve. Së voni, disa dasma që u mbajtën në Francë, u shpallën nga autoritet sanitare si vatra (« clusters ») të përhapjes së kêsaj sëmundje ngjitëse. Në këtë rast është fjala më shumë për shpërfilljen e masave mbojtëse, ndërkaq propagimi i lejimit të dasmave me « argumentin » se COVID-i nuk ekziston është shprehje e synimimit që të përfitohet nga një situatë e cila rrezikon drejtpërsëdrejti jo vetëm shëndetin dhe jetën e individëve por edhe shëndetin publik.

Solidariteti ndërkombêtar

Situata e cila mbretëron në të gjitha shoqëritë e goditura nga koronavirusi, siç dihet, është e rëndë dhe e ngarkuar me frikë, ankth e pasiguri. Mirëpo, këto shoqëri janë ballafaquar edhe në të kaluarën e afërt apo të largët me situata të ngjashme apo edhe më të rënda si, fjala vjen, me luftëtra që kanê shkaktuar shkatërrime e vdekje të shumta. Njerëzit kanë formuar aftësi e përvoja (psikologjike e morale) që të gjejnë përgjigje adekuate ndaj rreziqeve që kanë sjellë ato situata. Ky shikim historik mbi përvojat e rënda nga e kaluara nuk mund të ketë për qëllim që të banalizojë realitetin e rënd që e ka krijuar COVID-i por përkundrazi të kujtoj resurset e përvojave të shkuara për të gjetur përgjigje ndaj rreziqeve që ka prodhur pandemia e sotme. Është thënë shpesh se përgjigjet ndaj këtij rreziku nuk mund të jenë lokale prandaj rëndësia e solidaritetit ndërkombëtar është aq më madhe pse koronavirusi ka goditur jo vetëm vendet e vogla dhe të varfëra por edhe ato të mëdha e të pasura. Vendimi i presidentit Trump pêr têrheqjen e SHBA-ve nga OBSH-ja ështê njê shembull i keq, nê kundêrshtim me solidaritetin ndêrkombêtar.Z. Joe Biden e kritikoi ashpêr kêtê vendim dhe premtoi se do ta anulojê, nêse zgjedhet president.

Psikologja pariziene Gapin mendon se nocioni i tranzicionit, nê shpjegimin e situatês aktuale është i përshatshëm ngase u ofron njerëzve mundësinë, sikurse në disa situata tejet të rënda e ekstreme në të kaluarën, « të adaptohen me kapacitet neurologjike dhe fizike që kanë. » Ajo shton se rol të rëndësishëm kêtu kanë mediat objektive e të përgjegjshme, që japin informata të verifikuara dhe të ekuilibruara.Mirëpo mediat munden potencialisht edhe ta sforcojn frikën dhe psikozën kolektive, e cila mund të shpie në panik duke penguar pikërisht artikulimin e aftësive të njerëzve, e në veçanti të institucioneve sanitare, që të gjejnë përgjigje adekuate karshi rreziqeve aktuale.

Duhet shtuar se gjasët për zbulimin e vaksinës kundêr këtij virusi janê reale ; mê se 100 laboratore prestigjioze nga vende tê ndryshme po punojn intenzivisht në kêtê drejtim. Shuma tê mêdha tanimê janê ndarë sa pêr kêrkimet aq edhe pêr prodhimin masiv tê vakcinës.

Në këtë kontekst sa shpërfillja e udhëzimeve sanitare poaq edhe mohimi i COVIDIT janë shumë të dëmshme, siç shifet nga rrjedha e ngjarjeve.

« Mohimi i pandemisë është po aq vdekjeprurës sa vet sëmundja »

Në një reportazh të paradokohshêm të « Euronews-it » nga qyteti Manaus në Amazoninë e Brazilit, që ka 2 million banorë, disa mjekë shfaqin habinë me format që ka marrë mohimi i përhapur i realitetit të Covid-it në këtë qytet. Ata theksuan se në muajt e fundit u trefishua numri i personave të vdekur nga koronavirusi. Njeri nga mjekët e spitalit të qytetit befasohet pokështu me shkallën e mohimit të realitetit të COVID-it, nga banorët e këtij qyteti, ndonëse provat janë të dukshme, ndonëse mediat informojn rregullisht për pasojat rrënuese të COVID-it edhe mbi të afërmit e tyre. Kësaj i shtohen edhe frika e përhapur nga dezinformata të ndryshme që qarkullojnë në rrjetet sociale, pastaj situata reale në spitale të stërngarkuarë me të sëmurë nga ky virus. Mjekët ankohen se psikozën e krijuar në opinionin brazilian nga veprimi i koronavirisit e kan bërë edhe më të rendë deklaratat e presidentit të shtetit Bolsonaro i cili e minimizon rrezikun nga koronavirusi duke e paraqitur si « një grip të vogël ». Si pasojë, shtohet gjithnjë e më shumë numri i vdekurëve nga koronavirusi ngase nuk respektohen masat mbrojtëse (mbajtja e maskave, e distancës sociale dhe higjienës). Mjekët e kêtij qyteti theksojn se qindra arkivole çdo ditë rradhiten pranë varrezave kolemtive. Njeri nga mjekët deklaroi : « Mohimi i pandemisë është po aq vdekjeprurës sa vet sëmundja ». (Muhamedin Kullashi, artikull i botuar në “Koha ditore”)