Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, ka thënë se rruga Deçan-Plavë duhet të ndërtohet tjetërkah.
Në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova, Janjiç ka theksuar se rruga në fjalë do ta dëmtonte manastirin për shkaqe ambientaliste, ndotjeje, zhurme dhe kështu që do të ndikonte negativisht për kishën.
“Ne jemi të brengosur për shkak të këtij vendimi, sepse më herët kemi lexuar se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të pezullojë punimet deri kur kryeministri të vijë në vizitë në komunë dhe në manastir që ta diskutojmë këtë çështje. Ky është zhvillim fatkeq dhe shpresojmë se ekzekutivi do të bëjë çmos që ta mbrojë ligjin”.
“Pra, këtu është një rrugë lokale që përshkon zonën e veçantë të mbrojtur dhe rruga lokale nuk ka qenë asnjëherë problem për ne. Problemi u shfaq kur u mor një vendim të ndërtohet një autostradë për në Mal të Zi, një rrugë transite, më e madhe, me një nivel të lartë trafiku dhe automjete të rënda, kjo do ta dëmtojë manastirin për shkaqe ambientaliste, ndotje, zhurmë, që do të ndikojnë negativisht për kishën. Dhe bazuar në ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura që ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, ndërtimi i rrugëve të tilla është i ndaluar sipas ligjit”.
Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë të realizuar nga gazetari Haris Ademi:
Haris: Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, po konsideron se kjo rrugë është nevojë bazike për banorët e Deçanit dhe për zhvillimin ekonomik të rajonit. A nuk do të duhej ta lejonit një projekt të tillë?
Sava: Këtu ka dy pyetje. Parimisht, pajtohem se një rrugë nga Deçani për në Plava është e rëndësisë ekonomike dhe qeveria e Kosovës ka gjetur zgjidhje për këtë, duke e nisur një rrugë anësore ne pjesën tjetër të kodrës që do të lidhte Deçanin me Plavën në Mal të Zi. Ajo rrugë ishte inauguruar atëherë nga kryeministri Thaçi me kryetarët e Deçanit dhe Plavës në shtator të 2014-ës. Kjo rrugë nuk do të bënte problem sepse është jashtë zonës së mbrojtur. Vetëm gjysma e kësaj rruge është ndërtuar dhe një apo dy kilometra janë asfaltuar dhe pastaj projekti është stopuar për arsye të panjohura për mua. Kur punët rifilluan brenda zonës së mbrojtur, kjo është e ndaluar me ligj dhe po ashtu Bashkimi Evropian, OSBE, ambasadorët e KUINT-it, kanë dhënë mesazh të qartë se kjo rrugë është e papranueshme. Në gusht të 2018-ës, këtu ishin disa ambasadorë, dhanë mesazh të qartë për kryeministrin Haradinaj dhe ministrin e infrastrukturës se një rrugë e tillë nuk ka bazë ligjore. Kjo është arsyeja që ne ripërsërisim se këtu po punohet në kundërshtim me ligjin e Kosovës.
Haris: Pra ju keni dhënë leje për rrugë lokale, por nuk e pranoni asfaltimin e rrugës?
Sava: Nuk na përket neve të japim leje, unë nuk mund ta lejoj apo ta ndaloj ndërtimin e rrugës, kjo i takon ligjit. Dhe bazuar në ligj, në këtë kategori, rrugët magjistrale, autostradat, është e papranueshme, është e ndaluar me ligj. Por nëse duam të kemi një rrugë lokale, me perimetër më të vogël, me nivel më të vogël trafiku, ndalesa për shpejtësi dhe për automjete të rënda, kjo mund të ndodh më vonë, natyrisht. Por bazuar në planin aktual, këso autostrade, frikësohem se kjo është në kundërshtim me ligjin e Kosovës.
Haris: A keni biseduar me presidentin serb, Aleksander Vuçiq? Ai ka paralajmëruar se kjo cështje do të diskutohet në Bruksel, në procesin e dialogut me kryeministrin Hoti. A keni pasur kontakt me të, cfarë iu ka thënë ai?
Sava: Jo, nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me presidentin Vuçiq e as me qeverinë serbe. Unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me zyrën e BE-së, misionin e OSBE-së në Kosovë, po ashtu me ambasadën amerikane që e ka përkrahur rrugën anësore gjashtë vjet më parë.
Haris: A konsideroni se kjo temë do të duhej të diskutohej në Bruksel?
Sava: Mendoj se në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës është e rëndësishme të diskutohet procesi afatgjatë i mbrojtjes së kishave dhe manastireve ortodokse serbe në Kosovë. Po. Por kjo nuk është vetëm për shkak të kësaj rruge, kjo nuk është se ka ndodhur vetëm së fundmi, pavarësisht dialogut. Ky problem ekziston që nga 2013-ta, pra është problem afatgjatë me rrugën dhe çështje tjera që i kemi me komunën.
Haris: Këto konteste mes juve dhe institucioneve lokale janë rrjedhojë e një sërë procesesh. Që nga procesi i Vjenës, plani i Ahtisaarit, ligji për zonat e mbrojtura i votuar më 2008 nga deputetët e Kosovës. A i shihni të gjitha këto si favorizime ndaj jush?
Sava: Për sa jam i informuar, shtetet perëndimore që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur janë pajtuar për këtë duke pranuar elemente nga plani i Ahtisaarit, përfshirë edhe ligjin për mbrojtjen e Zonave të Veçanta, që u bë pastaj edhe zyrtarisht ligj në Kosovë. Kështu që kjo është një lloj obligimi i Kosovës ndaj këtyre vendeve dhe, natyrisht, a është favorizim apo jo, ky është favorizim, sigurisht, për ta mbrojtur trashëgiminë. Mendoj se në asnjë vend ju nuk mund të ndërtoni autostrada afër zonave të mbrojtura nga UNESCO, kjo është e papërshtatshme. Në anën tjetër, e kuptoj se komuna e Deçanit ka nevojë për një rrugë për në Malin e Zi. Dhe mund ta kenë atë. Por përmes një vije tjetër, në anën tjetër të kodrës, dhe besoj se është e mundshme sepse kjo veçse është pranuar nga qeveria kosovare dhe Bashkimi Evropian që ka financuar studimin e fisibilitetit dhe tjera ndihma për këtë projekt që do të ishte në pajtim me ligjin.
Haris: A keni kontaktuar me Ramush Haradinajn për këtë çështje? I keni shkruar ndonjë e-mail për t’ia shpjeguar gjithë situatën?
Sava: Jo nuk kam pasur kontakt me të. Mendoj fuqishëm që kjo nuk ka të bëjë me biseda personale. Kjo është çështje ligjore. Është çështje për qeverinë e Kosovës dhe komunën. Nëse ekziston ligji, institucionet kosovare duhet të jenë të përgjegjshme ta mbrojnë atë, pavarësisht nëse është në të mirë të shqiptarëve të Kosovës apo serbëve e boshnjakëve të Kosovës, apo të kujtdo. Ne të gjithë jemi qytetarë të këtij vendi dhe sundimi i ligjit është standard themelor për zhvillimin e një shoqërie demokratike.
Haris: Ju jeni në konflikt me komunën edhe për një tokë 24 hektarësh. Ekziston tashmë një verdikt i Gjykatës Kushtetuese më 2016 për këtë çështje. Si duhet të zgjidhet ky problem?
Sava: Po. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, faktikisht, është vendim final që nuk hap mundësi për diskutime tjera. Pra, çështja është stërzgjatur për 16 vjet. Kemi pasur një vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, pastaj është dërguar në Apel nga pala tjetër. Dhe pastaj gjyqtarët shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese morën vendim më 2016. Besoj se komuna duhet ta respektojë vendimin e tyre.
Haris: Por komuna nuk po pranon t’ua japë atë tokë juve.
Sava: Po, ata po refuzojnë ta regjistrojnë këtë tokë si pronë të manastirit. Por shpresojmë se kjo do të ndryshojë.
Haris: Shqiptarët e këtushëm konsiderojnë se e kanë mbrojtur këtë manastir përgjatë shekujve. A është ky një mit apo një fakt?
Sava: Ne kemi një traditë që nga fundi i shekullit 18, veçanërisht në shekullin 19, kur ka pasur disa familje të shquara shqiptare në Deçan që e kanë mbrojtur manastirin. Ata quheshin Vojvodët. Dhe kjo është traditë e vjetër që zgjati për shumë kohë. Por gjithashtu, ka pasur probleme me disa grupe tjera që vinin zakonisht nga malet, që shkaktonin telashe për manastirin dhe për banorët tjerë këtu. Manastiri ka qenë, po ashtu, nën mbrojtjen e ushtrisë osmane në fund të periudhës osmane. Ata arritën këtu më 1903 dhe janë vendosur këtu në manastir. Në Luftën e Dytë Botërore kanë qenë ushtarët italianë dhe gjermanë dhe tani ne kemi KFOR-in, që është me rëndësi të madhe pasi po mundëson sigurinë këtu, sepse vërtetë kemi pasur probleme të mëdha të sigurisë.
Haris: Pra, bazuar në perspektivën tuaj, cila duhet të jetë zgjidhja përfundimtare në lidhje me këtë rrugë? A duhet të ndalet ndërtimi i kësaj rruge apo komuna mund të vazhdojë me punimet?
Sava: Mendoj se zgjidhja që mund të gjendet, duhet të jetë brenda kornizave ligjore. Dhe ligji është shumë i qartë. Pra, mund të jetë një rrugë anësore apo ndonjë rrugë krejt tjetër, unë nuk vendosi për këtë gjë. Por ajo që dihet, po ashtu të njëjtin qëndrim e kanë edhe ambasadorët, është se një plan i tillë, një autostradë, afër manastirit, është e papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin. Kjo e vë në pikëpyetje kredibilitetin e shtetit të Kosovës për ta respektuar ligjin dhe obligimet që ka.
Haris: Bazuar në vjetërsinë e këtij kulti, ekziston një tregim se Skënderbeu ia ka dhënë një gotë si dhuratë këtij manastiri. A e keni ende atë gotë këtu?
Sava: Në fakt, ne kemi një llambadar. Faktikisht, është një llambë me qirinj, që bazohet në traditën e dhënies së dhuratave nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Po, ne e kemi atë në manastir. Dhe kjo është një traditë e mirë sepse ai vinte nga një familje që ka pasur lidhje të forta me kishën ortodokse. Vëllai i tij ka qenë murg në manastirin serb të Hilandarit. Dhe babai i tij, Gjon Kastrioti, ka bërë marrëveshje të veçantë me manastirin e Hilandarit. Kështu që, në atë kohë, ka pasur shumë martesa të ndërsjella dhe, në përgjithësi, deri në periudhën osmane, ka pasur lidhje të shumta familjare mes serbëve dhe shqiptarëve. Ata kanë qenë të gjithë krishterë në atë kohë. Pra ka pasur shumë martesa, si për shembull, një person i famshëm, Anxhelina, ka qenë e martuar me princin e fundit serb, Brankoviq, që ishte sundimtari i fundit i pavarur serb në Smederevë. Ajo kujtohet në histori të serbëve si “nëna Anxhelinë”. Pra, kjo tregon se dikur kanë ekzistuar marrëdhëniet e mira.