Fjalë Kyçe

Operacioni ‘Era’ dërgon në pranga edhe një fajdexhi tjetër

Operacioni ‘Era’ dërgon në pranga edhe një fajdexhi tjetër

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar operacionin “Era” sot gjatë ditës.

Gjatë aksionit, është kapur në flagrancë i dyshuari duke e pranuar këstin e fajdesë në shumë prej 1 mijë e 200 eurove, transmeton Insajderi.

Personi i dyshuar thuhet të jetë F.S. ndërsa ai është arrestuar për veprën penale “Fajdeja”, që gjatë periudhës 2017-2019, ka kontraktuar shuma të ndryshme të parave në mënyrë të paligjshme prej 70 mijë euro.

“Është kontrolluar lokacioni e shtëpisë se dyshuarit në Prishtinë, gjate kontrollit është hasur një pushke gjuetie me leje me afat te skaduar te cilën e ka sekuestruar Njësia e Hetimeve Stacionit Policor Veriu Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Hetimeve të Krimeve Ekonomike.

Gjatë operacionit është arritur të sekuestrohen: para në vlerë prej 1,500.00 euro, një telefon iPhone dhe një shufër metalike.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, dhe me akt vendim, personi i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë.